Mijëra qytetarë të zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të strehuar në Kosovë pas tërmetit kanë nisur të rikthehen në Shqipëri përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës.
Ata shprehen se shkak i kthimit ka të bëjë me punën dhe vlerësimin e dëmeve në banesat e tyre, por edhe se e kanë hequr pak frikën që i kapi. Megjithatë, shumica përgjigjen se ende është një situatë e frikshme dhe se po kthehen për të parë shtëpitë e tyre, për shumë njerëz, mundin e një jete.
Të strehuarit për disa ditë në Kosovë që vendosën të ktheheshin të dielën, edhe pse lëkundjet në Durrës nuk kanë reshtur, por janë të një magnitude pak më të ulët, thonë se nëse situatat mbetet e pasigurt, ata do të kthehen përsëri në Kosovë.
Shumë prej tyre po kthehen për të ruajtur vendin e punës, edhe pse e dinë se lëkundjet e tokës po vazhdojnë dhe nuk ka asnjë parashikim të saktë se kur do të qetësohet situata.
Në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës ishte edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili tha se pas 26 nëntorit: “Në Kosovë kanë ardhur tri kategori qytetarësh. Një pjesë u janë drejtuar qendrave mikpritëse. Një pjesë te të afërmit, ndërsa një pjesë kanë ardhur vetë këtu dhe janë strehuar në hotele. Kanë hyrë 17 mijë e 500 qytetarë. Një pjesë e tyre janë kthyer përsëri”, tha ai.
Vetëm të premten dhe të shtunën janë kthyer në Shqipëri 7800 qytetarë të zonave të Durrësit, Thumanës dhe Tiranës. Fluksi i lëvizjeve vijoi edhe të dielën, në të dyja drejtimet, disa hynin e disa dilnin nga Kosova. Pasi shumë qytetarë të Tiranës dhe Durrësit që u larguan në drejtim të juglindjes po kthehen në shtëpitë e tyre.
Tërmeti që ra mëngjesin e së martës, por edhe pushimet e festave të nëntorit, bënë që një pjesë e qytetarëve të zhvendosen jashtë kryeqytetit dhe Durrësit. Kosova është solidarizuar shumë me Shqipërinë në këto ditë fatkeqësish, duke ofruar një pjesë të Ushtrisë, Policisë për të nxjerrë trupat, ekspertë të inxhinierisë për ndërtesat e shembura, si dhe ndihma dhe strehë në qendra, hotele e shtëpi./Panorama.