image Të rinjtë kosovarë ‘merakli’ të mbajtjes së armëve pa leje: 29-vjeçari nga Prishtina dërgohet në mbajtje - Sinjali

Të rinjtë kosovarë ‘merakli’ të mbajtjes së armëve pa leje: 29-vjeçari nga Prishtina dërgohet në mbajtje

news image

Rastet kur Policia e Kosovës has në personat që mbajnë armë pa leje janë në rritje e sipër dhe kjo vazhdimisht e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative, shkruan Gazeta Sinjali.

Në shumicën e këtyre rasteve të dyshuarit që posedojnë armë janë të rinj. Njëjtë ka ndodhur edhe me një rast gjatë ditës së djeshme, në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.

Një 29-vjeçar u ndalua në një pikë kontrolli nga Policia e Kosovës dhe të njëjtit iu gjet një armë e shkurtë, karikator e tetë fishekë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se i njëjti menjëherë është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar. Pas dhënies së deklaratës, prokurorja kujdestare ka urdhëruar që ndaj tij të hapet rasti “Mbajtje në pronësi dhe kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, kurse i dyshuari të ndalohet për 48 orë.

Me vendim të prokurores të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe i njëjti është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet. “

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin