image Të gjithë po ikin nga Shqipëria, emigracioni zbraz shkollat

Shqipëri

Të gjithë po ikin nga Shqipëria, emigracioni zbraz shkollat

news image

Problemi më i mprehtë në sektorin arsimor këtë vit të ri akademik është rënia e numrit të nxënësve në shkolla. Gjatë periudhës 2010-2022, nxënësit në arsimin parauniversitar ranë me 37%, ndërsa numri i mësuesve mbeti i njëjtë.

Rënia e raportit nxënës për mësues nuk e ka përmirësuar cilësinë në arsim, pasi në 7 vitet e fundit nuk ka asnjë nxënës ekselent në të dhënat zyrtare, ndërsa rezultatet e provimeve të maturës ishin me ulje në vitin 2022. Mësuesit rrëfejnë se emigracioni, përveçse po ul numrin e nxënësve, po krijon një mendësi që ka zbehur interesin për mësimet. Sfidat dhe risitë e vitit të ri akademik.

Numri i nxënësve në arsimin parauniversitar ka rënë me 37% nga viti 2010 në 2022, në një kohë që numri i mësuesve në këtë cikël ka mbetur i pandryshuar, me rreth 36 mijë, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Arsimit.

Përmirësimi i raportit nxënës për mësues nga më shumë se 20 në vitet 2000, në rreth 13 aktualisht, duhet të çonte në rritje të rezultateve të të nxënit, në një kohë që qeveria ka investuar miliarda lekë në logjistikë dhe kurrikula gjatë dekadës, por e kundërta ka ndodhur.

Nga viti në vit, numri i nxënësve të mirë po bie me shpejtësi, ata me nivel mesatar janë të paktë dhe të dobëtit po mbizotërojnë. Problematikat e rrënjosura në arsim po përkeqësohen vit pas viti me tranzicionin demografik. Shkollat në qarqe po vuajnë braktisjen që në arsimin 9-vjecar prej emigracionit në nivele alarmante, teksa mungesa e infrastrukturës shkollore e bën të pamundur zbatimin e kurrikulës.

Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), në analizën që bëri për rezultatet e maturës shtetërore për vitin 2021, raportoi se, nota mesatare në provimin e maturës shënoi rënie prej 0.46 pikë në krahasim me vitin 2020. Të dhënat nga QSHA tregojnë se në 8 vite nuk kemi asnjë maturant me rezultate ekselente si gjatë viteve, ashtu në provimet e maturës.

Krahas problematikave të mbartura, ky vit i ri shkollor po sfidohet nga kriza e energjisë elektrike që do të pengojë cilësinë e mësimit në ditët e ftohta, ndërkohë që në qarqe, rënia masive e numrit të nxënësve rrezikon të mbyllë qindra shkolla dhe të bëjë të paarritshëm mësimin për të mbeturit.

/GazetaSinjali/