Në mbledhjen e Task- Forcës të zhvilluar në aeroportin e Rinasit, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka konifrmuar edhe njëherë se në Shqipëri nuk ka asnjë rast me virusin e ri që e ka zanafillën në Kinë. Deri tani janë kryer analizat te 6 persona, të cilat kanë rezultuar negative.
“Dua t’ju siguroj se Shqipëria nuk ka ende asnjë rast me koronavirusin. Janë kryer analizat te 6 të dyshuar dhe ato kanë dalë negative. Sot kam firmosur urdhrin për masa të shtuara të higjienës në institucionet arsimore”, tha Manastirliu.
Situata e krijuar nga koronavirusi në vendin fqinj, Itali ka detyruar autoritetet shqiptare të rrisin masat në pikat kufitare dhe gatishmërinë për të përballuar një situatë të mundshme nga kjo sëmundje.
Më tej ministrja e Shëndetësisë tha se në situata të tilla është i nevojshëm bashkëpunimi i të gjithëve. Ajo ftoi qytetarët që për informacione t’u drejtohen vetëm burimeve zyrtare dhe kërkoi që të mos përhapet panik me lajme të rreme dhe se Shqipëria ka ekspertë për ta përballur një situatë të mundshme.
“Kjo ngjarje e pazakontë nga pikëpamja e përballjes me një virus të tillë na bën të jemi të përgjegjshëm dhe të ecim me transparencë maksimale me publikun dhe mediat për masat e marra. Komunikimi, për të shmangur çdo dezinformim. Duhet të bazohemi në fakte, të dëgjojmë mendimet e ekspertëve që në Shqipëri nuk mungojnë. Kemi ekspertët më të mirë në ISHP që po ndjekin planin e veprimit të miratuar nga Task Forca dhe strukturat përbërëse. Jemi përballur me lajme të rreme dhe me mesazhe që nuk ishin të vërteta. Qytetarët, për informacione, duhet t’u referohen vetëm atyre zyrtare”, theksoi Manastirliu./ Gazeta Sinjali/