Disa nga kamionët me mallra serbe janë ndaluar të hyjnë në Kosovë për shkak të emërtimeve jokushtetuese ndaj shtetit të Kosovës. Ndërsa nga Ministria e Jashtme thonë se Serbia po bllokon kamionët e Kosovës që nga 30 marsi.
Kreshnik Ahmeti, Shef i Stafit të kryediplomatit Glauk Konjufca, ka shkruar para pak minutash se nga 30 marsi, Serbia po i mban të bllokuar kamionët e Kosovës.
“Përderisa Republika e Kosovës e ka larguar tarifën 100% në raport me Serbinë, kjo e fundit që nga 30 marsi po i mbanë të bllokuar në kufi kamionët tregtar nga Republika e Kosovës, të cilët nuk po lejohen të hyjnë në territorin e Serbisë”, ka shkruar Ahmeti.
Sipas Ahmetit, masat tregtare të Kosovës tash janë të varura nga masat e Serbisë.
“Masat tregtare të Republikës së Kosovës tash janë të varura nga masat e Serbisë. Hapi i duhur drejt raporteve të mira mes dy vendeve, do të ishte largimi sa më i shpejtë i barrierave që Serbia ia ka vënë Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Kujtojmë që nga sot ka filluar të zbatohet masa e reciprocitetit e vendosur ndaj mallrave të Serbisë./ Gazeta Sinjali/