Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se ka falënderuar komisionarin evropiane për Punë të Brendshme Ylva Johansson, për rikonfirmimin e Komisionit Evropian se Kosova ka plotësuar në tërësi kriteret për lëvizjen e lirë për qytetarët e saj.
Sveçla përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “Komisionerja e BE për Punë të Brendshme Johansson ka ri-konfirmuar që Komisioni qëndron prapa vlerësimit të tij dhe se puna vazhdon tutje në kuadër te procesit ekzistues deri në kompletimin e liberalizimit të vizave”.
Sveçla ka njoftuar se me komisioneren Joanssonn ka biseduar për arritjet e Qeverisë së Kosovës, nga hera e fundit kur ka zhvilluar takim virtual me të.
“Lufta ndaj krimit, korrupsionit, trafiqeve të ndryshme dhe të gjitha veprimtarive ilegale mbetet prioritet i yni andaj në këtë kuptim kam shprehur gatishmërinë tonë për bashkëpunim të ngushtë me të gjitha shtetet aleate për krijimin e stabilitetit në vendin tonë dhe më gjerë”, ka shkruar Sveçla.