Jo rrallëherë zyrtarët policorë sulmohen dhe pengohen gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga të dyshuar që shpeshherë i rezistojnë arrestimit, përmes sulmeve e kërcënimeve ndaj Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 20:45, në rrugën “Nazim Gafurri”, në Prishtinë, ku një person ka kundërshtuar zyrtarët policorë, madje njërin prej tyre edhe e ka goditur.
Siç mëson Sinjali, rasti ka ndodhur gjatë kohës kur Njësia Speciale Operative po patrullonte dhe ndaloi një veturë, për ta kontrolluar, nën dyshimet se mund të ketë gjëra të kundërligjshme.
Por, ani pse po kryenin punën e tyre, zyrtarët policorë hasën në rezistencë, nga i dyshuari i cili e drejtonte makinën, M.K., 35-vjeçar. I riu përveç se ka kundërshtuar urdhërat e policëve, ai nuk është mjaftuar me kaq dhe ka sulmuar edhe fizikisht njërin nga zyrtarët, të cilin e ka goditur e rrëzuar në tokë dhe kësisoj i ka shkaktuar lëndime në këmbë e duar.
Në momentin kur situata eskaloi, reagimi i policisë ishte i menjëhershëm, duke arrestuar të dyshuarin e dërguar në stacion policor që të intervistohet.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, si i dyshuar për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”.
Ndryshe, për shkak të lëndimeve të marra nga ky sulm fizik, zyrtari policor është dërguar në spital, për t’i trajtuar plagët e marra.