Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se të mërkurën, në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar Konsullata e Kosovës në Kopenhagë, kryeqytetin e Danimarkës dhe është dëmtuar stema e shtetit të Kosovës.
Ai ka thënë se këto vepra janë bërë nga banditë dhe huliganë serbë në Danimarkë.
“Sot, në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar Konsullata e Republikës së Kosovës në Kopenhagë, në Mbretërinë e Danimarkës si dhe është dëmtuar Stema e Shtetit të Kosovës nga banditët dhe huliganët serbë në Danimarkë. Ne e dënojmë këtë veprim qyqarë që shkel Konventën e Vjenës dhe sigurinë e ambienteve diplomatike dhe konsullore”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Ai ka thënë se Kosova po punon me autoritetet daneze për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë teksa ka shtuar se sulmet e tilla tregojnë “vetëm frustrimin e politikës së ngecur të Serbisë e cila ende nuk do të kuptojë se që 11 vjet në Ballkanin Perëndimor ekziston një shtet i pavarur që quhet Republika e Kosovës”.
“E dënojmë fuqishëm propagandën serbe dhe fushatën agresive të Serbisë kundër Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në fund./Sinjali/