image Sulmi me gurë ndaj nxënësit në Istog: Policia thotë se ndodhi në shkollë, por drejtori e mohon

Siguri

Sulmi me gurë ndaj nxënësit në Istog: Policia thotë se ndodhi në shkollë, por drejtori e mohon

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi se një nxënës i klasës së pestë në shkollën fillore të mesme të ulët “Trepça” në Banjë të Pejës në komunën e Istogut, është rrahur dhe është sulmuar me gurë nga shoku i tij i klasës. Nëna e 10-vjeçarit, për Sinjalin ka thënë se djali i saj ka pësuar lëndime në sy dhe ka marrë trajtim mjekësor.

Nëna e mllefosur ka rrëfyer për Sinjalin se si ndodhi e gjithë ngjarja, duke akuzuar stafin e shkollës për mosmarrjen e përgjegjësisë.

Ajo ka dërguar pamje se si nuk e gjeti drejtorin e shkollës në zyrë, e as arsimtarët në sallë për ta lajmëruar rastin, ndërsa djalin e dërgoi në spital dhe rastin e denoncoi në Polici.

E nga Policia e Kosovës, kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali se kanë njoftuar prindërit dhe janë shoqëruar në stacion.

Rreth orës 13:30 policia e stacionit policor në Istog është njoftuar për një përleshje në shkollën e mesme të ulët “Trepca” në Banjë të Pejës, komuna e Istogut. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe fillimisht e kanë kontaktuar stafin udhëheqës të shkollës, pastaj ka identifikuar nxënësit që janë përleshur dhe i ka njoftuar prindërit dhe janë shoqëruar në stacion“, thanë për Sinjalin nga Policia Rajonale në Pejë.

Po ashtu bëhet e ditur se në lidhje me rastin është njoftuar punëtori i Qendrës për Punë sociale dhe të miturit janë intervistuar në prezencë të tij dhe të prindërve, ndërsa prokuroi ka udhëzuar që rasti të inicohet ‘lëndim i lehtë trupor’ dhe të dërgohet me raport për shkak të moshës së nxënësve që janë nën 14-vjeç.

Çka deklaroi drejtori i shkollës lidhur me rastin?

Ndryshe nga Policia ka deklaruar drejtori i shkollës, Nexhmedin Beqiraj, i cili ka mohuar që ngjarja të ketë ndodhur brenda hapësirave të shkollës ‘Trepça”, për çka ata nuk marrin përgjegjësi.

Nxënësi i cili ka sulmuar shokun e klasës e kishte përfunduar mësimin. Kur kanë dalë jashtë oborrit të shkollës, ata janë konfrontu, janë ngacmu mes veti. I kemi shiku kamerat bashkë me Policinë, por nuk është pa të ketë ndodhur përleshja brenda oborrit të shkollës. Si rrjedhojë ne nuk mund të marrim përgjegjësi se çka ndodh jashtë hapësirave të shkollës“, tha Beqiraj për Sinjalin.

Ndërsa mungesën e tij gjatë kohës kur nëna e 10-vjeçarit filmonte, ai e arsyeton duke thënë se kishte pasur ‘punë’ në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Komunën e Istogut.

Mungesa e mësueses së rregullt në klasë

Drejtori i shkollës ‘Trepça’ ka mohuar të gjitha pretendimet e nënës së 10-vjeçarit, se klasa është pa mësuese që një muaj.

Ai ka thënë se mësuesja e klasës ka shkuar të jetojë jashtë vendit, por që atëherë nxënësit vijojnë mësimet me një një mësuese zëvendësuese e cila vullnetarisht ka marrë klasën përsipër derisa të caktohet një mësimdhënës i rregullt.

Mësuesja ka shku jashtë vendit edhe unë menjëherë e kam angazhu një mësuese tjetër edhe e kom vendosë klasën paradite që me u zëvendësu edhe me u mbajtë mësimi. E njëjta mësuese mban mësim me klasën e nxënësve në fjalë nga ora 08:00-11:30 dhe më pas vazhdon mësimin prej orës 13:00 me klasën e saj. Këtë punë ajo po e bën në mënyrë vullnetare“, tha Beqiraj për Sinjalin.

Teksa bëri të ditur se vazhdon të jetë i hapur konkursi për të plotësuar pozitën e mësuesës që shkoi të jetojë jashtë shtetit.

Ndryshe, Gazeta Sinjali posedon pamje se çfarë ndodhi brenda hapësirave të shkollës, pasi ndodhi përleshja mes nxënësve. Por për shkak se në rast janë të përfshirë persona të mitur, Sinjali ka vendosur që tani për tani të mos i publikojë ato.

/GazetaSinjali/