image Sulmi i Iranit paralizon të gjitha pikat kufitare në Shqipëri

Shqipëri

Sulmi i Iranit paralizon të gjitha pikat kufitare në Shqipëri

news image

Sulmi kibernetik nga Irani prej të cilit ra pre sistemi TIMS mbrëmjen e djeshme, ka paralizuar të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë.

Mësohet se sulmi është evidentuar nga specialistët e policisë mbrëmjen e të premtes rreth orës 22:00, ndërsa kjo ka bllokuar punën e pikave kufitare të Kakavijës, Kapshticës, Qafë Botës, Qafë Thanës, Portin e Durrësit dhe Portin e Vlorës.

Kjo ka sjellë probleme të shumta, derisa policët kanë hapur regjistrat duke punuar manualisht, me qëllim shmangien e radhëve të gjata, raporton TCH.

Mësohet se sistemi TIM është fikur nga autoritetet shqiptare për arsye sigurie, dhe paraprakisht dyshohet se të dhënat e sistemit më të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, nuk janë prekur nga hakerat.

Tentativa për të vënë nën kontroll sistemin TIMS me qëllim final paralizimin e punës të policisë në pikat kufitare shqiptare ndodhi vetëm pak orë pasi departamenti thesarit amerikan shpalli sanksione ndaj Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë iraniane dhe ministrit të saj, me akuzën ata se janë përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

Ky është sulmi i dytë kibernetik që Irani bën ndaj Shqipërisë, pasi goditi shërbimet online në korrik.

Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptar, por edhe nga vendet aleate, u dol në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin.

/GazetaSinjali/