Studentët në Shqipëri kanë paralajmëruar se nesër do të mbajnë protestë para Ministrisë së Arsimit, në shenjë pakënaqësie ndaj mbylljes së universiteteve dhe mbajtjes së mësimit online.
Vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve ka irrituar studentët të cilët kishin gjetur shtëpi me qira apo kishin paguar konviktet dhe ata tani do të duhet të kthehen nëpër vendbanimet e tyre.
Sipas studentëve, mësimi online nuk ka qenë fare efektiv dhe se institucionet nuk kanë thënë asgjë në lidhje me mënyrën sesi do ti sigurojnë paratë për internetin.
“Nuk është normale, pasi mësimi online nuk ka qenë fare efektiv. Ne e provuam një herë. Me pak fjalë, na kanë braktisur. Thjesht na thonë që mësimi do të bëhet online, por asgjë për mënyrën se si do t’i sigurojmë paratë për internetin. Nuk dimë çfarë do të ndodhë me ne. Askush nuk di të thotë asgjë, përveçse pagesat që bëmë për muajin nëntor do të shtyhen për në dhjetor. Gjithnjë në rast se universitetet hapen. Gjithçka është në dëmin tonë. Përveç që do të bëjmë mësim online, i cili nuk funksionoi, kemi angazhime të tjera në Tiranë që nuk do të mund t’i ndjekim për shkak se nuk kemi ku të qëndrojmë tashmë”, thuhet në një reagim të studentëve. /Gazeta Sinjali/