Benjamin Shabani, Dren Hajdari dhe Valdrin Rashiti, studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i sollën Kosovës medalje të bronzta nga Kampionati Evropian i Universiteteve në Sporte Luftarake (EUSA Combat), i cili u mbajt në Zagreb të Kroacisë, trasnmeton Sinjali.
Karateistët e Kosovës fituan vendin e 3-të në garën ekipore, ku luftuan në disiplinën “KUMITE”. Të suksesshëm u treguan edhe në gara individuale, ku në konkurrencën me peshë 75 kg, studenti Benjamin Shabani mori medaljen e bronztë.
“Në këto gara studentët lanë pas vetes ekipe studentësh nga universitete të shumta evropiane, përfshirë këtu ekipet nga: Spanja, Serbia, Franca, e të tjera vende pjesëmarrëse”, kanë shkruar nga UP.
Me përfaqësimin dhe arritjet e studentëve, është shprehur krenar dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit, Musa Selimi.
“Ishte krenari t’i shohësh studentët tanë të garojnë përkrah studentëve të universiteteve evropiane. Jam i lumtur që arritën të përfaqësoheshin denjësisht dhe të merrnin medalje nga ky kampionat”, citohet të ketë thënë Selimi, sipas një njoftimi në faqen zyrtare të UP-së.
Kosova në këtë kampionat u përfaqësuar në dy sporte: karate dhe taekwondo./Sinjali/