image Staroviq: Turqia po armatos intensivisht Kosovën, kjo është e papranueshme pasi rrit nivelin e rrezikut

Politikë

Staroviq: Turqia po armatos intensivisht Kosovën, kjo është e papranueshme pasi rrit nivelin e rrezikut

news image

Sekretari i Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, Nemanja Staroviq, tha sot se Turqia po punon intensivisht në armatosjen, trajnimin dhe pajisjen e Policisë së Kosovës.

Staroviq ka theksuar për RTS se kjo bie ndesh me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe me Brukselin dhe të gjitha marrëveshjet e tjera përkatëse.

“Sigurisht që ne i kemi ndjekur intensivisht të gjitha këto procese, agjencitë tona që janë përgjegjëse për këtë, prej muajsh i kanë raportuar udhëheqjes shtetërore në detaje për gjithçka që po ndodh dhe natyrisht në përputhje me këtë, duke përdorur kanalet diplomatike. Ne i kemi paralajmëruar përfaqësuesit e Turqisë se kjo që po ndodh është absolutisht e papranueshme. Natyrisht, ata flasin për faktin se bëhet fjalë për një lloj aranzhimi komercial, për shitje”, tha Staroviq.

Ai ka theksuar megjithatë se bëhet fjalë për armatim që nuk lejohet në Kosovë dhe që shteti nuk mund t’i posedojë.

“Nga ana tjetër, në bazë të gjithë asaj që dimë, duke marrë parasysh buxhetin e ndarë për të ashtuquajturat forca të sigurisë së Kosovës, nuk kanë para për një gjë të tillë dhe nuk mund të bëhet fjalë për aranzhime komerciale, dhe është mjaft e sigurt se janë donacione turke”, tha Staroviq.

Ai shtoi se dronët janë prezantuar publikisht nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe se tashmë të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë fakt.

“Fatkeqësisht, nuk bëhet fjalë vetëm për dronët e tipit Bajraktar, bëhet fjalë edhe për sisteme shumë serioze, të sofistikuara kundër armaturës OMTAS, bëhet fjalë për granatahedhës e të gjitha. Prandaj, ngre nivelin e rreziqeve dhe kërcënimeve, në radhë të parë për popullatën serbe që jeton në Kosovë, por edhe për Republikën e Serbisë në tërësi”, thotë Staroviq.

Kjo, thekson ai, nuk është shkak për panik, por është shkelje e së drejtës ndërkombëtare për të cilën, thekson ai, Beogradi ka përgjigje adekuate.

“Dikush duhet t’i përgjigjet pyetjes se si është e mundur që 24 vjet pas përfundimit të luftës, pas miratimit të Rezolutës 1244, harmonizimit dhe miratimit të marrëveshjes ushtarako-teknike nga Kumanova, ka ardhur deri aty që – në vend të kësaj, të demilitarizimit – ne kemi të ashtuquajturat Forca të Sigurisë së Kosovës në Kosovë, të pajisura me një teknikë shumë sulmuese”, thotë Staroviq.

/GazetaSinjali/