Spitali i Vushtrrisë ‘Sheikh Zayed’ do t’i kthehet punës normale dhe pacientët që janë duke u trajtuar për COVID-19 në këtë spital do të transferohen brenda 3 ditësh në Klinikën Infektive në QKUK.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një postimi në Facebook.
“Ndërsa komiteti tashmë pas vlerësimeve të veta profesionale konstaton se bazuar në situatën aktuale, Spitali i Vushtrrisë duhet t’i kthehet punës normale, pacientët e shtrirë si të konfirmuar dhe të dyshuar me COVID-19, transportohen brenda 3 dite, gradualisht në Klinikën Infektive në QKUK”, thuhet ndër tjerash në postimin e Zemajt.
Gazeta Sinjali, ditë më parë, e thirrur në burime të veta, ka njoftuar se Spitali i Vushtrrisë ka kërkuar që t’i kthehet punës normale dhe të mos i trajtojë më pacientët për COVID-19, për shkak që numri i pacientëve që po trajtohen në këtë spital është i vogël.
Transporti i pacientëve nga Spitali i Vushtrrisë fillon nga dita e sotme. /Gazeta Sinjali/