Artikulli i publikuar nga Gazeta Sinjali më 10 maj për kërcënimin e Spitalit Amerikan, nga vëllai i një pacienti që është trajtuar aty, mjaftoi që qytetarët të vërshojnë me komente përmes të cilave akuzojnë këtë spital për keqtrajtim. Për kërcënimin që pranoi, Spitali denoncoi familjarin e pacientit, por Prokuroria Themelore në Prishtinë, hodhi poshtë kallëzimin penal, duke konsideruar se nuk ka prova e as elemente të veprës penale për të cilën ishte hartuar kallëzimi penal.
Raportimi i Sinjalit për denoncimin e spitalit dhe vendimin e Prokurorisë për ta hedhur poshtë kallëzimin, ka bërë që qytetarët të ndajnë publikisht përvojat e tyre të hidhura për trajtimin që u ofrohet në këtë spital.
Shumica dërrmuese e komentuesve kanë pasur komente negative për shërbimin shëndetësor në këtë spital, duke u shprehur të tmerruar me atë që kanë përjetuar me familjarët dhe të afërmit e tyre.
Sinjali ju sjellë më poshtë disa prej shumë komenteve të shkruara nga qytetarët, me qëllimin e vetëm që zëri i tyre të dëgjohet nga organet kompetente për hetim dhe ndërmarrjen e masave për përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend.
Në komentet që kanë lënë në Facebook, shumë komentues deklarojnë se ky spital, primare i ka paratë dhe jo shëndetin e pacientëve, teksa bëjnë thirrje urgjente që të mbyllet tërësisht.
“S’ka shtet se ky spital u dashtë mu mbyll këta te rrjepin per zgjalli. Keta duhet mi mbyll urgjent eshte spital i vdekjes e jo shendetit..”, ka shkruar një qytetar.
Madje ka pasur edhe komente mjaft brutale, siç është ai i një qytetari, i cili Spitalin Amerikan e cilëson si kriminal. “Ket spital duhet mbyllur urgjentish se ky nuk eshte rasti i par por me mija e mija raste kta bejn krim me njeriun“
Shumë të tjerë kanë lëshuar akuza se ky spital po i vret pacientët, prandaj sipas tyre duhet të mbyllet.
“Mir ish kane me kall kit spital ky ish katastrof. Ky spital me te gjith mjeket e tij duhet me zhduk me themel.Keta i vrasin pacientat.
Edhe themelet duhet me ia zhduk. Matrapaz kirurga….”, është njëri ndër shumë komentet e familjarëve të pacientëve të cilët kanë kërkuar shërim në këtë spital, por kanë dalë krejtësisht të pakënaqur me shërbimet.
Madje ka edhe nga ata që, ndonëse kërcënimi është shumë serioz, pajtohen se spital duhet ‘kallur’.
“Pak eshte me kall kit kasap te popullit”, ka shkruar njëri nga komentuesit. E mjekët që punojnë aty, nga qytetarët të cilët kanë kërkuar ndihmë në këtë spital, po cilësohen edhe si ‘çobanë’ dhe të poshtër. Sipas tyre, aty janë të punësuar të gjithë mjekët të cilët nuk arrijnë të punësohen në institucione publike shëndetësore.
“Veq emrin e ka amerikan !! LLomat qe nuk kan zan vend tjeterkund punojn aty !!!! Nuk eshte spital Amerikan por spital i vdekjes !!!!”, thotë një komentues i Sinjalit.
Spitali Amerikan është një ndër spitalet private për të cilin kanë ardhë më së shumti ankesa dhe pakënaqësi lidhur me trajtimin shëndetësor, apo siç e quajnë ndryshe pacientët që kanë pasur përvojë me të – “Spitali i vdekjes”.
Cili është ‘kërcënimi’ që spitali pretendoi se mori nga familjari i pacientit
Familjari i njërit nga pacientët që u trajtuan aty, zgjodhi që pakënaqësitë e tij t’i çojë në një nivel tjetër, duke i dërguar Spitalit një mesazh përmes emailit. Vëllai i pacientit në fjalë kishte thënë në mesazh se ‘do ta kallim’ spitalin e madje kishte treguar edhe orën e saktë se kur do të ndodhë kjo.
Sinjali është përpjekur vazhdimisht që të marrë një përgjigje edhe nga Spitali Amerikan lidhur me denoncimin e bërë dhe pakënaqësitë e shfaqura nga pacienti dhe familjarët e tij, mirëpo ashtu sikurse edhe në të kaluarën, edhe tani ky institucion ka zgjedhur të heshtë dhe të mos përgjigjet në pyetjet e dërguara.
Kujtojmë se edhe në të kaluarën janë raportuar disa raste ku familjarë të pacientëve kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me trajtimin në këtë Spital, e po ashtu ankesa janë dërguar edhe tek Oda e Mjekëve të Kosovës, ku janë zhvilluar procedura disiplinore kundër mjekëve të këtij spitali.
Sinjali do të vazhdojë të raportojë për përvojat e qytetarëve si pasojë e mashtrimeve dhe trajtimit jo të duhur, jo vetëm në spitalet private por edhe në ato publike.
Gazeta Sinjali fton të gjithë sinjalizuesit që kanë kaluar përvoja të hidhura në spitalet në Kosovë, t’i denoncojnë rastet, të cilat do të trajtohen në bazë të standardeve profesionale.