image Zbulohen bisedat mes familjarëve dhe mjekëve, të cilët e larguan pacientin nga Spitali Amerikan duke ia rrezikuar jetën për 10 mijë €

Kosovë

Audio/ Zbulohen bisedat mes familjarëve dhe mjekëve, të cilët e larguan pacientin nga Spitali Amerikan duke ia rrezikuar jetën për 10 mijë €

news image

Neurologu, Blerim Myftiu ishte mjeku përgjegjës për rastin e pacientit S.N. nga Peja, të cilit në Spitalin Amerikan iu vendos stenta në zemër përkundër se pësoi sulm në tru, si pasojë e bllokimit të arterieve të qafës.

Sipas familjarëve, pas vendosjes së stentës, shëndeti i prindit u përkeqësua ndërsa mjekët e zvarritën procesin e operimit të arterieve të qafës së pacientit, bllokimi i së cilave, ishte konstatuar si shkaktari kryesor i sulmit në tru.

Përkundër se pacienti nuk e kishte marr vetën, pas operacionit mjekët e Spitalit Amerikan kishin insistuar që ai të lirohej në shtëpi edhepse familjarët kërkonin që prindi i tyre të ishte nën përkujdesin mjekësor, pavarësisht kostos së lartë të qëndrimit në spital.

Por, mendimet e mjekëve patën efektin bindës tek familjarët, të cilët e tërhoqën pacientin nga spitali. Për pasojë, sapo e futën babain në veturë, pësoi infarkt pas disa minutash.

INSISTIMI I MJEKËVE TE FAMILJARËT PËR LIRIMIN E PACIETIT NGA SPITALI

Gazeta Sinjali ka siguruar audio-incizime të bisedave mes familjarëve dhe mjekëve, para dhe pasi pacienti ishte liruar nga spitali, ku dëshmohet insistimi i mjekëve, sidomos i mjekut përgjegjës të rastit, Blerim Myftiu, për largimin e tij nga spitali.  

“Ky nuk do të operohet menjëherë. Kështu që plani është që njëherë ta lirojmë në shpi. Kalon disa ditë në shtëpi me terapi përkatëse për tension, për sheqer, për t`hollim gjaku edhe pastaj të vini në kontrollë të premten bisedojmë”, thekson Myftiu ndërsa kur familjarët thonë që pacienti deri atëherë të qëndroj në spital nën përkujdesjen e mjekëve, mjeku Myftiu iu drejtohet atyre me habi.

“Me ndejtë ky këtu a?! A su mërzitë këtu në spital?”, thekson ai për pacientin i cili si pasojë e sulmit në tru nuk ishte në gjendje të fliste.

Qëndrim të njëjtë, për lirimin e të sëmurit nga spitali kishte edhe kardiokirurgu, Besnik Kojqiqi, ndonëse nuk e kishte parë e vizituar as edhe njëherë pacientin gjatë qëndrimit 10 ditorë në repart por priste momentin ta operonte atë në arteriet e qafës.

“Mendimi im, unë sipas eksperiencës së pacientave kur vijnë në spital…psiqikisht atij i ndihmon pak me dalë prej spitalit e me shku në shpi. Këtë po jua thom se e thonë të gjithë, po shifni ju.”, thotë në audio-incizim, mjeku Kojqiqi.

Ndërsa i biri i pacientit, Leon Nimani i thotë atij se e ka të pamundur për t`ia ofruar babait kujdesin shëndetësor në shtëpi.

“Babi e ka terapinë e sheqerit, insulinën. Ka edhe 10-15 hapa tjerë që i përdorë në baza ditore, tension e ç`tension ditore. Të gjitha terapitë ua kam dorëzu k`tyne, e këta tash janë tu e përcillë sipas mënyrës së vetë. Deri më sot, një ditë, unë s`ja kam jep një hap babës tem për të pirë. Krejt i ka menaxhu vetë. S`ka lonë me ju përzi. Krejt i ka menaxhu vetë. Sot, unë me marr me çu te shpija është sikur me ma jep mu një kerr që unë s`di hala me i grah kerrit.”


FAMILJARËT U BINDEN MJEKËVE PËR TA LARGUAR PACIENTIN NGA SPITALI

Pas këtyre bisedave të vazhdueshme, në ditën e dhjetë të qëndrimit në spital, përkatësisht në ditën e pastë pasi mjekët ia kishin vënë stentën pacientit S.N., familjarët binden nga personeli mjekësor për ta larguar prindin nga spitali. Por, nga ky moment, fillon tmerri i vërtetë për familjen Limani.

“Edhe na e hipim në kerr qat ditë. Kadal, kadale, hyp në kerr me këmbë të veta, prej kreveti deri te kerri. S`janë shku 15 minuta, se na u nisëm në drejtim për Shkup, na e ka kap sulmi i dytë në kerr, ia murr anën e djathtë krejt, u paralizu, krejt. Tmerr e kemi pa unë, motra e dy vëllezërit. Tmerr, tmerr, tmerr!. Kemi kalu si të trentë nëpër kufi.”, thekson Leon Nimani, i biri i pacientit S. N. i cili u detyrua që të kërkonte shërim jashtë vendit ku gjendja e tij shëndetësore filloi të përmirësohej dukshëm. Ai shton se operacionin që nuk arritën ta kryenin mjekët  në arteriet e qafës brenda 10 ditësh në Spitalin Amerikan, babai i tij e kreu brenda dy ditësh në spitalin e rajonit.

FAMILJA NIMANI KËRKON PËRGJEGJËSI PËR TRAJTIMIN E PANDËRGJEGJSHËM MJEKËSOR

Ndonëse prindi u rikthye në jetë gjatë trajtimit në rajon, familja Nimani e cila e përjetoi këtë tmerr, nuk u ndal së kërkuari përgjegjësi.

Leoni Nimani u kthye sërish në Spitalin Amerikan për të nxjerr informata të reja nga mjeku përgjegjës, Blerim Myftiu dhe mjekët tjerë të përfshirë në këtë rast, Sasho Josimovski dhe Besnik Kojqiqi. Bisedat  janë rekorduar nga i biri i pacientit me qëllim që ato t`i deponojë si provë në organet e drejtësisë për siç thotë, trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor ndaj babait të tij.

BISEDAT ME MJEKËT PAS LIRIMIT TË PACIENTIT NGA SPITALI

Leon Nimani:- Po më intereson kur e morëm, ky i zemrës a e kontrolloi edhe njëherë sa i përket shqetësimeve?

Dr. Blerim Myftiu:- Po, para se me dalë këtu e kanë kontrollu ata edhe ia kanë dhonë terapinë që e kanë për zemër dhe stenta d.m.th i ka dy për t`hollim gjakut, i ka dy barna për tension sa po e mbajë mend e ka sioforin për sheqer e ka insulinën për sheqer. Tash ndoshta ndonjë e harrova, por i ka ilaçet.

Leon Nimani:- Ishte ashtu sikurse thatë si të del prej këtuhit, ndërron krejtë.

Dr. Blerim Myftiu:- Paj u mërzitë ai këtu. Unë për qata ju thojsha. Ai në spital rrin sa rrin por dikur kur nuk ka nevojë ma me nejtë është ma mirë më marr në shpi edhe me përcjellë. M`i ndodhë atij diçka kështu në spital sot, i ndodhë edhe në shpi. Edhe në shpi me i ndodhë edhe në spital me konë, prapë i ndodhë. Domethonë nuk është puna që është në spital ose është në shpi. E kështu që edhe për atë arsye pak edhe dy ditët e fundit u konë i mërzitur se as nuk folke, as nuk hajke as….

Leon Nimani:- E s`mujshit me ditë?

Dr. Blerim Myftiu:- Për qato është pak mirë…kështu që edhe me motrën biseduam që pak me marr në shpi se ndryshe është shpija e vetë, njerëzit e vetë, se këtu po vini, po shkoni. Ai po rrin tanë natën vetë. Ai nuk është krejt që edhe s`po kupton. Po kupton mirë tash edhe po njeh kadal, kadal. Kjo e folmja, qysh folëm edhe atë ditë ka më shku kadal- kadal, kadal- kadal.

DR.KOJQIQI: E MERR VETËN NAJ DITË,  NUK ËSHTË RAST URGJENT”

Edhe kardiokirurgu i Spitalit Amerikan, Besnik Kojqiqi, duke mos qenë në dijeni rreth sulmit që i kishte ndodhur pacientit sapo kishte dalur nga spitali, u thotë familjarëve se rasti nuk është urgjent për operim në arteriet e qafës.

“E merr vetën naj ditë edhe ai nuk është urgjent nuk është që duhet patjetër me u bo sot se po nuk u bo sot… Nuk është operacion, t`ish konë i tillë ai është tjetër sen. Kështu që edhe i ndihmon. Psiqikisht pacientëve u ndihmon kur të dalin prej spitalit në shpi.”, dëgjohet duke thënë mjeku Kojqiqi.

Në audio-incizimin tjetër, kardiologu maqedonas, Sasho Josimovski, tenton të arsyetojë vendimin për largimin e pacientit që ishte i shtrirë në repartin e tij, duke folur në cilësinë e psikologut e jo të mjekut kardiolog, që do të duhej ta vlerësonte gjendjen e pacientit para lirimit nga spitali.

DR. JOSIMOVSKI: TERAPIA MË E MIRË ËSHTË NË SHTËPI SEPSE I KA NJERËZIT NON-STOP

Dr. Sasho Josimovski: Spitali është vendi shumë i keq për pacientat, kur rrinë ma shumë se duhet. Terapia ma mirë është në shpi. Pse është ma mirë në shtëpi? Sepse ka njerëzit non-stop, a është ashtu? Në spital, ka stafin profesional, mirëpo ka empati nuk ka simpati. Tjetër dicka, spitali është tretman kjo precedura është e jashtme. Pse? Sepse shtrirja në spital është shumë shtrenjtë.

Leon Nimani: – Kërkush s`ka pyet, a është…!

Dr. Sasho Josimovski: – Unë flas sepse jam edhe master në menaxhment a po kupton? për këtë unë e di s`ka nevojë për dicka palidhje kur të shtrij këtu edhe s`ka nevojë për operacion. Ky është vendimi im edhe vendimi i doktor Blerimit edhe vendimi i kirurgut.

Josimovski pranon përgjegjësinë për rastin deri në momentin kur njoftohet nga familjarët se babai i tyre, kishte pësuar infarkt sapo kishte dalë nga Spitali Amerikan, pas insistimit të mjekëve për lirimin e tij për në shtëpi.

Më pas, biseda merr kahje tjetër. Sasho Josimovski tenton t`i ikë përgjegjësisë profesionale ndërsa përgjegjësinë për këtë t`ia hedh neurologut, Blerim Myftiu duke thënë se është pacient i tij.

Leon Nimani: – OK, doktor tash me ju thonë. D.m.th ju jeni konsultu krejt bashkë me lëshu pacientin edhe mirë është pacienti. Se na si familjar jemi ardhë e kemi marr pacientin. Tash çka ndodhë doktor me të thonë që na tu e cu pacientin, e kapin edhe dy infarkte rrugës. Çka me të thonë?

Dr. Sasho Josimovski: – Jo, jo, s`ka mundësi!

Leon Nimani: – Po prit, njëherë! E morëm na nga këtu, e futëm në makinë edhe pacienti i mori edhe dy infarkte tjera, edhe dy goditje.

Dr. Sasho Josimovski:- A ka ose jo, kjo është e rëndësishme për mua. Unë jam doktor dhe për mu është e rëndësishme ka ose s`ka ankesa?

Leon Nimani: – Unë po thom si e morëm nga këtu e futëm. Në atë moment kur ne e kemi marrë atë, e kemi futë në veturë, ai i ka pasë edhe dy infarkte. Çka mundesh me thonë ti rreth kësaj doktor?

Dr. Sasho Josimovski:- Ajo nuk është në rregull, këtë mund ta them.

Leon Nimani: – Ajo nuk është në rregull a?

Dr. Sasho Josimovski:- Absolutisht!.

Leon Nimani: – Për atë po flasim doktor, për këtë po flasim.

Dr. Sasho Josimovski:- Kjo është veç çështje tjetër.

Leon Nimani: – Këtë duhet me sqaru na ndërmjet veti.

Dr. Sasho Josimovski:- Vetëm me ta sqaru. Kur unë diku nënshkruhem, sepse shumë është domethënës nënshkrimi.

Leon Nimani: – Për këtë punë dikush shumë seriozisht ka me dhanë përgjegjësi. Këtë po ta them në mënyrën më të sinqertë. Personalisht po ta them, këtu në spital ende nuk janë të vetëdijshëm se me kënd kanë punë.

Dr. Sasho Josimovski: – Dëgjo, bisedo me Blerimin

Leon Nimani: – Kjo është shumë serioze. Ju duhet të uleni sot, unë do të vi nesër, unë do të bisedoj edhe me atë, ju duhet të mendoni mirë se si dhe në çfarë mënyrë mundemi me zgjidhë ne këtë situatë.

Dr. Sasho Josimovski: – Mendoj që, këshilla ime është kjo, unë e di tërë historinë mjekësore të tij, pse, sepse kam qenë në vizitë këtu. Në repartin tim ka qenë i shtrirë, por kur pacienti pranohet nga ndonjë mjek, ai mjek i ka duart e lira të bëj çfarë të dojë, në kuptimin që me e ndihmu pacientin, me u konsultu dhe me i shfrytëzu të gjitha resurset e këtij spitali. Unë punoj në Shkup, atje punoj tri ditë, tri ditë këtu…. Neurologu e ka pranu pacientin dhe neurologu duhet ta lëshoj ose mos ta lëshoj. Këshilla ime tani është që të bisedoni edhe me atë, patjetër duhet të bisedoni edhe me doktor Blerim Myftiun, sepse ky është pacienti i doktor Blerim Myftiut, familjari nuk është i disponuar sepse pacienti ka komplikime pasi ka dalë prej spitalit.

Kujtojmë se javë më parë, Sasho Josimovski u denoncua nga kolegjiumi i Klinikës së Kardiologjisë së QKUK-së, për një rast tjetër, nën dyshimin se i vendosi  një pacienti kosovar, bateri në zemër dhe dy stenta pa pasur nevojë për ç`gjë po hetohet nga Oda e Mjekëve dhe Inspektorati Shëndetësor.

Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë me mjekun përgjegjës, neurologun Blerim Myftiu dhe kardiokirurgun, Besnik Kojqiqin, por kontakti, ka qenë i pamundur. Në telefon është përgjigjur vetëm kardiologu maqedonas, Sasho Josimovski, i cili ka thënë t`i drejtohemi administratës së spitalit për të lejuar kontaktin me të, ndërsa pas interesimit të gazetës, Spitali Amerikan nuk ka kthyer përgjigje për më shumë se dy javë.

Zyrtarja e shërbimit për konsumatorë, e kontaktuar disa herë nga Gazeta Sinjali, ka përsëritur se kërkesën do ta përcjell tek drejtuesit e Spitalit Amerikan. Ndërsa, përmes emailit, zyrtarët e Spitalit Amerikan janë përgjigjur shkurt se ndaj pacientit janë zbatuar të gjitha protokollet e nevojshme shëndetësore nga mjekët specialistë. /Gazeta Sinjali/

Në shkrimin e radhës do të zbardhen bisedat e familjarëve me kardiokirurgun, Besnik Kojqiqi, i cili ndonëse mjek përgjegjës për operacionin e arterieve të qafës, nuk e kishte vizituar e as nuk e kishte parë asnjëherë pacientin gjatë qëndrimit të tij dhjetëditor në Spitalin Amerikan,

https://www.facebook.com/GazetaSinjali/videos/608054683353433/