Pavarësisht propozimeve të partive politike për shkurtimin e saj, fushata zgjedhore fillon zyrtarisht sot, raporton Gazeta Sinjali.
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, në mbledhjen e së martës tha se kjo është çështje ligjore e cila nuk mund të ndryshohet, përkundër rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19.
Mirëpo, ai kërkoi që partitë politike të cilat janë certifikuar për të garuar në zgjedhje e 17 tetorit, të respektojnë të gjitha masat dhe kufizimet e vendosura nga institucionet.
Ndërkaq, Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik ka bërë thirrje për ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimeve publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim.
“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19 dhe vdekshmërisë së lartë, në veçanti, bëjmë thirrje për ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimeve publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim.”
“Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës sipas rekomandimeve të IKSHPK”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/