Në Hogosht të Kamenicës, me fillim nga ora 14:00, sot do të vihet gurthemeli për kullën e Rexhep Malajt, transmeton Sinjali.
Rexhep Mala, i njohur si simbol i qëndresës kombëtare shqiptare, vuajti afro nëntë vite burgim në burgjet jugosllave, për cka edhe ka shkruar ditarin “Kujtime nga burgu”. Të dhënat nga historia tregojnë se Mala, bashkë me Nuhi Berishën, ra heroikisht në natën e 11-12 janarit të vitit 1984, në Kodrën e Trimave, në Prishtinë, pasi ai dhe shokët e tij nuk iu dorëzuan policisë serbe.
Përmes një njoftimi për media, nga Ministria e Kulturës kanë bërë të ditur se gjatë vënies së gurthemelit, i pranishëm do të jetë edhe ministri Kujtim Gashi.
Në të njejtën ditë, në Kalanë e Prizrenit do të hapet një ekspozitë arkeologjike. Ekspozita do të hapet në ora 19:00, dhe po ashtu do të jetë i pranishëm ministri Gashi./Sinjali/