image Sot numërohen votat me kusht

Sot numërohen votat me kusht

news image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të numëroj votat me kusht dhe ato të personave me aftësi të kufizuara, transmeton Gazeta Sinjali.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se do të ketë njoftim paraprak rreth kohës kur pritet të fillojë numërimi i tyre.

“Gjatë ditës së sotme planifikojmë të bëhet numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta. Mediat dhe vëzhguesit do të njoftohen paraprakisht për orën e fillimit të numërimit”, tha ai për Sinjalin.

Ndryshe, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, dje ka përfunduar numërimi i votave me postë.

Nga totali i votave të ardhura nga diaspora, Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur që të marr më shumë vota se Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Nga totali i votave të diasporës, LDK-ja ka marrë gjithsejtë 3 mijë e 158 vota, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vetëm 2 mijë e 692, AAK-ja rreth 1 mijë e 500 derisa PDK-ja ka marrë pak më shumë se 1 mijë vota.

Gara më e ngushtë me votat e diasporës ka qenë mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Diferencë e madhe në mes të LDK-së dhe VV-së në votat që kanë marrë nga diaspora vërehet në Komunën e Suharekës. Atje kandidati i LDK-së ka marrë gjithsejtë 711 vota, kandidati i AAK-së i dyti me 307 vota, derisa kandidati i VV-së në vendin e tretë me vetëm 147 vota.

Edhe në Komunën e Dragashit diferenca ka qenë shumë e madhe. Behxhet Xheladini i LDK-së ka arritur të marr plotë 359 vota nga diaspora, derisa kandidatja e VV-së, Kaltrina Salihu ka marrë vetëm 76 vota. PDK ka marrë vetëm 77 vota.

Edhe Peja e Istogu nuk bëjnë përjashtim. Gazmend Muhaxheri ka marrë 331 vota, derisa kandidati i VV-së, Gazmend Agusholli, ka marrë vetëm 71 vota. Derisa në Istog, LDK-ja ka 231 vota dhe VV-ja vetëm 83.

Lëvizja Vetëvendosje ka një diferencë me LDK-në vetëm në Komunën e Kamenicës. Atje VV ka marrë plotë 168 vota, derisa kandidati i LDK-së ka marrë vetëm 12 vota.

Edhe në Gjilan, Alban Hyseni, ka marrë 199 vota, 100 më shumë se Lutfi Haziri i LDK-së.

/Gazeta Sinjali/