Sot në Berlin të Gjermanisë pritet të nënshkruhet marrëveshja për rikthimin e linjës hekurudhore Kosovë-Serbi, pas marrëveshjes së nënshkruar para një jave për rikthimin e linjës ajrore ndërmjet dy shteteve.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka caktuar drejtorin e Departamentit të Transportit Tokësor, Xhemë Veselin dhe drejtorin e Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, Ramë Qupevën si të autorizuar për të negociuar këtë marrëveshje me palën serbe. Në anën tjetër, siç raporton “Tanjug”, delegacioni serb në këtë takim do të udhëhiqet nga drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, shkruan Gazeta Sinjali.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd përmes një shkrimi në Twitter ka njoftuar se emisari i Amerikës në bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka bërë të ditur se të gjitha palët janë pajtuar për rivendosjen e trafikut hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se sot do të diskutohen vetëm detajet.
Pas marrëveshjes për rikthimin e linjës ajrore midis Kosovës dhe Serbi, marrëveshja për linjën hekurudhore pritet të rikthehet pas më shumë se dy dekadave.
Marrëveshjet e tilla të shpejta po i sponsorizon i dërguari special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. /Gazeta Sinjali/