image Sot mblidhet për herë të parë Komuniteti Politik Evropian i propozuar nga Macron, pjesëmarrëse edhe Kosova

Politikë

Sot mblidhet për herë të parë Komuniteti Politik Evropian i propozuar nga Macron, pjesëmarrëse edhe Kosova

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të marrë pjesë sot në Komunitetin Politik Evropian i cili mbahet në Pragë të Çekisë.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, këshilltari i presidentes, Bekim Kupina.

“Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Pragë do ta  përfaqësojë Kosovën në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian (EPC)”, ka thënë Kupina.

Në agjendën e publikuar në web-faqen zyrtare, ky Komunitet i është referuar Kosovës me fusnotë.

E për këtë çështje, Kupina tha se organizatorët i kanë garantuar Kosovës që do të përfaqësohet në mënyrë të barabartë.

“Ne e kemi konfirmimin me shkrim nga organizatorët se të gjitha shtetet në samit, do të përfaqësohen në mënyrë të barabartë, me emrat e liderëve, sipas formulës së përdorur edhe në takimet e tjera, në samitet ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, përfundon Kupina.

Ky takim inaugurues do të mbledhë krerë shtetesh nga 44 vende të kontinentit evropian me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë evropianë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidenti francez, Emmanuel Macron dhe në të cilën do të bashkohen liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe liderët e 17 vendeve të tjera evropiane.

Pjesëmarrësit e ftuar në këtë takim të parë të Komunitetit Politik Evropian janë: Kosova, Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bosnje Hercegovina, Gjeorgjia, Islanda, Lihtenshtajni, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Serbia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar.

Të pranishëm do të jenë edhe presidenti i Komisionit Evropian dhe ai i Këshillit Evropian.

Kjo nismë synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.

/GazetaSinjali/