Kosova po vazhdon që të pranojë vaksina të tjera kundër COVID-19 si donacion.
Gjatë ditës së sotme pritet që të arrijnë në Kosovë më shumë se 500 mijë vaksina antiCOVID të llojit Pfizer, si donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Drin Podrimçaku.
“Sot, Kosova pranon kontingjentin prej 515,970 doza të Pfizer, të premtuara nga Presidenti Biden përmes mekanizmit COVAX. Përherë mirënjohës ndaj miqve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Vaksinat janë mjeti ynë më i mirë për të shpëtuar jetë, për të mbrojtur ekonominë dhe mënyra jonë më e mirë për t’u kthyer te njerëzit, vendet dhe gjërat që duam. Për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të tjerët në vijën e parë të përballjes me pandeminë që janë vaksinuar: Faleminderit. Le të ndjekim të gjithë shembullin e tyre”, ka thënë Podrimçaku.