image Sot i jepet lamtumira e fundit 18-vjeçarit nga Podujeva që humbi jetën tragjikisht

Sociale

Sot i jepet lamtumira e fundit 18-vjeçarit nga Podujeva që humbi jetën tragjikisht

news image

Sot i jepet lamtumira e fundit 18-vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahut i cili humbi jetën pasi u rrah brutalisht nga disa të mitur. Për këtë krim makabër, dy persona tashmë ndodhen nën masën e paraburgimit, teksa  po hetohet në zbulimin e rrethanave dhe motivit që çoi deri te ky konflikt që përfundoi tragjikisht, raporton Gazeta Sinjali.

Varrimi i të ndjerit bëhet në orën 15:00 në varrezat e Qytetit të Hekurudhave.

Sulmi që i mori jetën Lulzimit dyshohet se ndodhi mesditën e 14 janarit, ku për motive akoma të panjohura, në rrugën “Drenica” në Podujevë, dy të dyshuar e sulmuan brutalisht.

Sinjali ka raportuar për këtë rast pas ngjarjes, kur viktima u dërgua në spital për shkak të lëndimeve serioze që pësoi.

Por çfarë ndodhi në të vërtetë atë ditë?

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë” (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Dy të dyshuarit që ndodhen prapa grilave për këtë rast janë E.Kadriu (16-vjeçar) dhe A.Abdullahu (17-vjeçar).

“Ju kalltë zemra”, reagimet e familjarëve

Për këtë rast të tmerrshëm kanë folur edhe familjarët e të ndjerit. Ata thonë se pas një fjalosje me disa persona, Lulzimi është përplasur nga një veturë dhe më pas është goditur me shkopinj bejsbolli, duke i shkaktuar lëndime të rënda.

Unë jam axha i tij. Lulzimi si 18 vjeçar ka qenë puntorë, ka qenë jetim. Pa dy prindtë. Prej dorës kruiminele shqiptare. Maspari e kanë ndjek me kerr, e kanë shkel, e kanë shtypë e kanë rrëzuar. Kur e kanë rrezuar Lulzimin, e kanë goditur me stupca bejsbolli derisa sot në ora 3 pasdite ndërroi edhe jetë”, tha axha i Lulzimit.

Pas rastit, motra e të ndjerit ka reaguar në rrjetet sociale duke shprehur dhimbjen dhe zemërimin për humbjen e vëllait të saj në mënyrë tragjike.

“Ju kalltë zemra si neve qysh po na kallet, Allah dënoj, kurrë dritë me sy mos pafshin”, ka thënë ajo.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/