Sot në Shqipëri hapen njësitë e shërbimit si bare dhe restorante, por vetëm për mjediset e hapura, pas rreth tre muajsh mbyllje për shkak të pandemisë COVID-19.
Rihapja e këtyre bizneseve do të bëhet vetëm sipas protokolleve të ruajtjes së distancës dhe kushteve higjieno-sanitare mes klientëve dhe punonjësve.
Sipas këtyre protokolleve, baret dhe restorantet duhet të pajisen me të gjitha mjetet e nevojshme për mbrojtjen e personelit dhe klientëve, ku përfshihen dorezat, dezifektantët dhe maskat për stafin, ndërsa për klientët do të vendoset një higjienizues për duart, në hyrje të subjekteve.
Ndërkaq, tavolinat do të vendosen në 2 metra largësi midis njëra- tjetrës për të respektuar distancën fizike ndërmjet klientëve. Sa i takon dezinfektimit të ambienteve të bareve dhe restoranteve, ky proces parashikohet të kryhet 2 herë në ditë.
Përgatitjet për pritjen e klientëve kanë nisur që në orët e para të mëngjesit siç duket edhe nga fotot. /Gazeta Sinjali/