image Sot dëgjohet dëshmitari i dytë në rastin e Gucatit dhe Haradinajt - Sinjali

Sot dëgjohet dëshmitari i dytë në rastin e Gucatit dhe Haradinajt

news image

Sot në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit, shkruan Gazeta Sinjali.

Seanca e sotme do të fillojë me vazhdimin e dëgjimit të dëshmitares së parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe më pas do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të dytë, i cili mban kodin W04866.

Hetuesja e ZPS-së, Zdenka Pumper, e cila ka dëshmuar për pesë ditë para trupit gjykues, sot do të marrë pyetjet shtesë nga prokuroria dhe avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman.

Për dallim nga Pumper, dëshmitari i dytë nuk është bërë publik veçse është treguar që mban kodin W04866.

Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë, prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin