image S'ndalet Policia, e dënon me 35 euro gjobë për maskë vozitësin që ishte i vetëm në veturë

Sinjalizime

S’ndalet Policia, e dënon me 35 euro gjobë për maskë vozitësin që ishte i vetëm në veturë

news image

Një sinjalizues ka thënë se sot është dënuar me 35 euro gjobë pasi nuk e kishte vendosur maskën ndërsa ishte i vetëm në veturë. Ngjarja ka ndodhur në Gjakovë rreth orës 15:00.

Ai ka pyetur se si ka mundësi që është dënuar, duke qenë i vetëm në veturë.

“Si ka mundësi Policia me të dënu për maskë kur je vetëm në veturë. Nuk e kanë shkru veturën hiç në fletëparaqitje”, ka thënë ai.

Sinjalizuesi e ka dërguar edhe fletëparaqitjen për kundërvajtje.

“I lartpërmenduri nuk e ka të vendosur maskën”, është përshkrimi në fletëparaqitjen për kundërvajtje që i është shqiptuar sinjalizuesit.

Edhe dje gjatë ditës, të paktën dy qytetarë janë gjobitur me nga 35 euro për shkak të mosbartjes së maskës në veturë.

Ligji për pandeminë që është miratuar në Kuvendin e Kosovës thotë se personi fizik i cili nuk respekton vendimin e organit kompetent për mbajtjen e maskës dënohet me gjobë prej 35 euro, por nuk specifikohet se në çfarë rrethanash mund të gjobitet një vozitës pa maskë.

Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Faik Hoti ka publikuar disa rekomandime të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) që sqarojnë se në cilat raste qytetarët janë të obliguar ta mbajnë maskën e në cilat raste jo.Sipas këtyre rekomandimeve, gjatë vozitjes së automjetit personal me njerëz që jetojnë në familjen tuaj, nuk ka nevojë të bartet maska. /Gazeta Sinjali