image Skandaloze: Policia e Gjakovës fsheh krimin nga Prokuroria ku dyshohet se ishte i përfshirë djali i kolegut të tyre

Skandaloze

Skandaloze: Policia e Gjakovës fsheh krimin nga Prokuroria ku dyshohet se ishte i përfshirë djali i kolegut të tyre

news image

Gazeta Sinjali sot ka raportuar për një skenë dhune në mes të rrugës në Gjakovë, ku disa persona janë grushtuar me njëri-tjetrin. Sipas sinjalizuesve në këtë përleshje ka qenë i përfshirë djali i një zyrtari policor (emër i njohur për redaksinë) në Stacionin Policor të Gjakovës.

Pas publikimit të pamjeve të dërguara nga sinjalizuesit, Gazeta Sinjali ka kontaktuar Policinë e Gjakovës për të marrë më shumë informacione për këtë rast.

Drejtori i Policisë së Gjakovës, Lumni Graishta ka deklaruar se ky rast është cilësuar vetëm si “fjalosje”, pasi që sipas prokurorit kujdestar nuk ka pasur elemente të veprës penale.

“Incidenti ka ndodhur rreth orës 17:30, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme. Njësitet policore iu kanë përgjigjur vendit të ngjarjes. I kanë marrë të dhënat e qytetarëve të përfshirë në incident dhe i ka shoqëruar në stacionin policor. Por, prokurori ka vlerësuar se nuk ka elemente të veprës penale dhe për këtë arsye të dyshuarit janë liruar. Sipas dëshmitarit dhe vetë palëve të përfshira nuk ka pasur përleshje, por vetëm fjalosje”, ka thënë Graishta.

Gjatë kësaj periudhe, Gazeta Sinjali ka pranuar mesazhe të ndryshme nga personat që kanë qenë të përfshirë në këtë përleshje, duke kërkuar që pamjet e publikuara të largohen, sepse në këtë përleshje është i përfshirë djali i një zyrtari policor.

Madje njëri prej tyre, (emër i njohur për redaksinë), familjar i zyrtarit policor, kërkesën për largim të pamjeve e ka arsyetuar duke thënë se ky rast është “rregulluar me Polici”.

“A ka mundësi me fshi videon. E kemi rregullu me polici krejt, komplet jena ndreq në mes veti. Hekne se veç probleme na qitni.”

Nga sinjalizimet e vazhduara edhe mëtutje thuhet se është kërkuar që mos të hapet rast për këtë incident, jo sepse nuk ka elemente të veprës penale, por, sipas tyre, për shkak të djalit të zyrtarit policor.  

Pas mesazheve të pranuar se policia nuk ka hapur rast për shkak se në incident ka qenë i përfshirë djali i zyrtarit policor me inicialet P.S., Gazeta Sinjali ka kontaktuar sërish Policinë e Gjakovës për ta sqaruar ngjarjen.

Drejtori i Policisë, Lumni Graishta në një deklaratë të dytë për këtë rast, ngjarjen e ricilësoi, duke deklaruar se është hapur rast si ‘lëndim i lehtë trupor’. Madje thuhet se “rasti të cilin e kanë cilësuar si fjalosje nuk është i njëjti”, ndërkaq për përleshjen në fjalë, sipas tij janë arrestuar katër persona.

“Rasti për të cilin kam deklaruar nuk ka qenë i njëjti. Ai ka qenë një rast tjetër, ku Policia i ka liruar të dyshuarit pas një mosmarrëveshje. Për përleshjen në mes të rrugës janë arrestuar katër persona, të cilët më pas janë liruar me procedurë të rregullt. Në Polici janë intervistuar edhe tre persona si dëshimtarë. Rasti është hapur si ‘lëndim i lehtë trupor'”, ka thënë Graishta në deklaratën e dytë për rastin e njëjtë.

Gazeta Sinjali duke dyshuar se rasti mund të jetë fshehur për shkak të përfshirjes në përleshje të djalit të zyrtarit policor, ka kontaktuar prokurorin kujdestar, Nazmi Krasniqi, i cili ka thënë që për këtë rast të kontaktohet ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore të Gjakovës.

Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, u.d. i kryeprokurorit, Ali Uka ka thënë se Policia nuk ka kontaktuar me prokurorin kujdestar për këtë rast. Madje sipas tij, prokurori Nazmi Krasniqi është informuar për këtë ngjarje pasi është publikuar lajmi në Gazetën Sinjali.

“Prokurori Nazmi Krasniqi është befasuar kur e ka parë këtë rast dhe e ka kontaktuar Policinë dhe Komandantin e Policisë. Policia në raport e kanë konstatuar se kinse prokurori kujdestar ka thënë që mos hapet rast. Por askush nga prokurorët nuk është kontaktuar nga Policia. Ata me siguri e kanë bë këtë punë krye në vete. Unë e udhëzova kolegun kujdestar që ta thërras Inspektoratin Policor të Kosovës. Përleshja paska ndodhur diku rreth orës 18:30. Prokurori kujdestar është njoftuar kur e ka pa lajmin në Gazetën Sinjali. Pra, prokurori është njoftuar për këtë rast në 20:45”, ka thënë Uka.

Uka njoftoi se nuk është hapur asnjë rast për këtë ngjarje dhe kjo çështje do të përcillet në IPK.

“Kamerat e sigurisë janë në vendin e ngjarjes, do të tërhiqen kamerat e sigurisë dhe shihen edhe video-incizimet. Prokurori kujdestar më njoftoi që nuk është hapur fare rast për këtë ngjarje, sepse askush nga prokurorët nuk është njoftuar. Ata tashmë po mundohen me i mbulu ato të vetat, por tash me këtë rast do të merret Inspektorati”, ka thënë Uka në përgjigjen për Gazetën Sinjali.

Gazeta Sinjali do të ju mbajë të informuar për këtë rast. /GazetaSinjali/