image Skandaloze: “Dr. Linda” pa diplomë e pa licencë “mjeshtroi” për disa vite me botox e fillera fytyrat e femrave në Prishtinë

Skandaloze

Skandaloze: “Dr. Linda” pa diplomë e pa licencë “mjeshtroi” për disa vite me botox e fillera fytyrat e femrave në Prishtinë

news image

Gazeta Sinjali ka pranuar ankesa nga disa vajza të cilat pretendonin se nuk ishin të kënaqura me shërbimet estetike që i kanë marrë në ordinancën FACIAL.AM në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, nga e vetëquajtura doktoresha, Mirlinda Berisha.

Gjatë hulumtimit të pretendimeve të këtyre pacienteve, Gazeta Sinjali ka zbuluar që lokali ku punon e ashtuquajtura Dr.Linda nuk është ordinancë e licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Licencë pune për këto shërbime që ofron kjo “ordinancë” nuk ka as vetë Mirlinda Berisha, e cila për disa vite rresht u prezantua rrejshëm si doktoreshë, ani pse nuk kishte as diplomë e as licencë për këtë titull, shkruan Gazeta Sinjali.

Mirlinda Berisha kryen procedura invazive dhe implante të botoxit dhe fillerave që tri vite, pa diplomë të Fakultetit të Mjekësisë dhe pa licencë pune, duke konsumuar kështu edhe veprën penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, e sanksionuar me gjobë dhe me burgim.

Vajzat që i janë drejtuar redaksisë së Sinjalit me ankesat e tyre, kanë thënë se në “ordinancën” Facial.am kanë kryer ndërhyrje me botox, mirëpo nuk janë ndarë të kënaqura me rezultatin dhe për më tepër janë të shqetësuara, sepse kanë kuptuar se trajtimi është bërë nga personi jokompetent dhe ndihen të mashtruara nga reklamat e kësaj “ordinance” të publikuara në Instagram.

Ato pretendojnë se Berisha, që i ka kryer këto ndërhyrje, i ka ikur përgjegjësisë dhe nuk ua ka dhënë asnjë informacion për produktet që ka injektuar në fytyrat e tyre, shkruan Gazeta Sinjali.

Detajet e hulumtimit të Sinjalit

Këto pretendime nxitën Gazetën Sinjali që të hulumtojë aktivitetin e Facial.am dhe “doktoreshës” Mirlinda Berisha.

Për të kuptuar nëse Berisha ka fillimisht licencë pune, Gazeta Sinjali ka kërkuar emrin e saj në listën e Odës së Mjekëve të Kosovës. Ndonëse emri i Mirlinda Berishës nuk figuronte aty, Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të kësaj ode, për ta rikonfirmuar se Berisha nuk ka fare licencë pune për profesionin që ushtron.

“Ju njoftojmë se nuk kemi mjekë të anëtarësuar dhe licensuar pranë Odës së Mjekëve të Kosovës me këtë emër, pra Mirlinda Berisha”, thuhet në përgjigjen e OMK-së.

Mirëpo, edhe pse nuk ka licencë pune, Berisha vazhdon të ushtrojë “profesionin” e saj dhe të kryejë procedura invazive dhe implante të botoxit e fillerit, që nga viti 2018.

Foto e marrë nga Instargami Facial.am: Mirlinda Berisha, më shumë se dy vjet më parë duke kryer ndërhyrje në hundën e një pacienti

Sipas legjislacionit në fuqi, procedurat invazive dhe implantet e produkteve të ndryshme në organizëm mund të kryhen vetëm nga specialistët e Mjekësisë. Licencimi për të tilla ndërhyrje lëshohet nga Oda e Mjekëve, vetëm pas përfundimit të suksesshëm të provimit profesional shëndetësor.

Foto e marrë nga Instagrami Facial.am: Injektimi i botoxit në fytyrën e një pacientes
Foto e marrë nga Instagrami Facial.am: Injektimi i botoxit në fytyrën e një pacientes
Foto e marrë nga Instagrami Facial.am
Foto e marrë nga Instagrami Facial.am

“Mirënjohjet” e “certifikatat” për doktoreshën pa licencë

Mirlinda Berisha arriti t’i bind shumë persona që t’ia besojnë fytyrën, pasi që ishte prezantuar me titull “Doktor i Mjekësisë” dhe në muret e ordinancës së saj mbante mirënjohje dhe certifikata nga trajnime të ndryshme, në të cilat po ashtu figuronte ky titull.

Me “doktoresha Linda” asaj i ishin drejtuar edhe stafi i saj, duke mos u lënë pacientëve asnjë hapësirë për dyshim.

Madje, Berisha ishte prezantuar te pacientet e saja me titullin doktor edhe në faqen e ordinancës së saj në Instagram. Por kjo nuk i zgjati shumë, sepse pasi e ka kuptuar se është objekt i hetimit për mungesë diplome, titulli Dr dhe emri i saj janë larguar nga kjo faqe.

Se ajo mban titullin “doktor” kishte figuruar edhe në disa mirënjohje dhe certifikata të pjesëmarrjes në trajnime, të cilat po ashtu janë larguar në muret e klinikës.

Mirëpo, në faqen e kësaj klinike në rrjetin social Instagram ende mbeten disa fotografi të fytyrave publike, të cilat i thurin lavde “doktoreshës” pa diplomë.

Foto e marrë nga Instagrami Facial.am: Era Istrefi
Foto e marrë nga Instagrami Facial.am: Elita Rudi
Foto e marrë nga Instagrami Facial.am: Ariana Fejzullahu
Foto e marrë nga Instagrami Facial.am: Ana Kllokoqi

Çfarë thotë njëra nga shumë pacientet e mashtruara nga “Dr.Linda”?

Berisha dyshohet se ka mashtruar pacientet e saj që mban titullin doktor i Mjekësisë, ndonëse ende nuk e kishte të përfunduar Fakultetin e Mjekësisë dhe ende nuk posedon licencë pune.

Disa nga vajzat të cilat janë trajtuar nga Mirlinda, në kushtet anonimiteti kanë thënë për Sinjalin se ajo gjithmonë është prezantuar si doktoreshë dhe i gjithë stafi i saj i është drejtuar me këtë titull.

Po ta dinim se nuk është doktoreshë dhe nuk është e specializuar për këtë fushë, nuk do ia besonim kurrë ndërhyrjen në pjesët më të ndjeshme të fytyrës“, thotë njëra nga këtë vajza.

Për më tepër, emri ordinancë mund të përdoret vetëm nga institucionet e licencuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe vetëm aty ku shërbimet mjekësore kryhen nga profesionistët shëndetësorë.

Mashtrimi i “doktoreshës” me produkte të paautorizuara

Rasti i Mirlinda Berishës nuk është i vetmi që ka arritur që të mbahet “i paprekur” nga institucionet kompetente.

Sinjali ka mësuar se materiali dhe produktet që kjo klinikë përdorë për të kryer ndërhyrjet, dyshohet se nuk janë të autorizuara nga kompanitë farmaceutike dhe institucionet e autorizuar për to, si dhe “ordinanca” në fjalë nuk posedon fare leje importi nga Ministria e Shëndetësisë.

Kësisoj, këto produkte dyshohet se janë futur në vend përmes rrugëve ilegale.

Çfarë deklaron “doktoresha” pa licencë për këto dyshime?

Gazeta Sinjali e ka vizituar edhe klinikën Facial.am dhe ka biseduar me Mirlinda Berishën lidhur me këto pretendime të ish-pacienteve të saj.

Berisha ka thënë se është person shumë i përgjegjshëm dhe se këto pretendime mund të jenë të shpikura nga konkurrentët e saj, pasi që tha se ka jashtëzakonisht shumë punë.

Ajo tha për Sinjalin se ka diplomë të Fakultetit të Mjekësisë, si dhe licencë pune dhe se të dyja këto dokumente do i dërgojë në e-mail të gazetares pas disa orësh.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur që disa ditë, ndonëse “doktoresha” e premtoi vetë.

Për t’ia dhënë sërish mundësinë që ta japë versionin e saj, Sinjali ka dërguar pyetje në numrin kontaktues të klinikës, duke ia përsëritur të gjitha ankesat dhe pretendimet e pacienteve, por edhe pas disa ditësh nuk ka pranuar përgjigje e as fakte që dëshmojnë të kundërtën e tyre, ashtu siç Berisha premtoi se do t’i përcjellë.

Kjo nuk është e gjitha, Sinjali do të ju sjellë ditëve në vijim detaje jo vetëm për këtë “ordinancë”, por edhe për raste të tjera.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e saj të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/