image S’ka vend për panik, Kosova ka sasi të mjaftueshme të vajit të papërpunuar në stoqe

Sociale

S’ka vend për panik, Kosova ka sasi të mjaftueshme të vajit të papërpunuar në stoqe

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas vizitës në një fabrikë për përpunimin e vajit në qytetin e Gjilanit, ka thënë se nuk ka nevojë për panik pasi që ka sasi të mjaftueshme të vajit në stoqe.

Kurti përmes një konference për medie ka bërë të ditur se gjatë vizitës në këtë fabrikë, është njoftuar se kanë në rezerva edhe 300 mijë litra vaj të papërpunuar e i cili në momentin që përpunohet e prodhohet do të mund ta furnizojë Kosovën edhe për një muaj, raporton Gazeta Sinjali.

Ai ka thënë se ndërkohë Qeveria do të angazhohet për bashkëpunim me shtete partnere që të sjellin lëndën e parë për ripërpunim.

Po ashtu, shefi i Ekzekutivit ka komentuar edhe rritjen enorme të çmimit të vajit ditët e fundit në Kosovë.

Kurti ka thënë se çmimi prej 3,49 euro është artificial, i paarsyeshëm dhe aktualisht është më i larti në botë

“Çmimi i vajit prej 3.49 cent është artificial, i paarsyeshëm dhe ka të bëjë me njerëz që dëshirojnë të përfitojnë nga një krizë botërore e jo nga gjendja reale në Kosovë. Aktualisht çmimi i vajit në Republikën e Kosovës është më i lartë në botë. Bëhet fjalë për çmime të fryra të bëra nga faktori njeri e jo prej gjendjes objektive në terren. Këto çmime të fryra duhet të çfryhen”, tha ai.

Sipas tij, çmimi identik i vajit në dyqanet anembanë Kosovës nuk është i  rastësishëm.

“Po të ishte çmimi 3 euro e gjysmë do të thoshin që ndoshta edhe është e rastësishme, por ishte 3.49 cent. Anembanë marketeve në Kosovë po na njoftojnë qytetarët e Republikës, konsumatorët përmes fotografive të rafteve, çmimi identik 3.49 euro. 3.50 ndoshta do të ishte e rastësishmen por nuk është e rastësishme kjo përputhje anembanë Kosovës”, tha ai.

Ai është shprehur se do merren masa dhe inspektorët janë duke bërë dokumentimin e të gjitha shkeljeve, pasi që sipas tij nuk ka asnjë arsye që çmimi i vajit të jetë kaq i lartë.

/GazetaSinjali/