image Situata me koronavirus, anulohet sezoni turistik veror në Shqipëri?

Rajon

Rezervimet/ Situata me koronavirus, anulohet sezoni turistik veror në Shqipëri?

news image

Situata me koronavirusin mund të kërcënojë seriozisht sezonin veror të këtij viti. Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, shprehet për “Monitor” se ka anulime masive për marsin, prillin dhe majin.

Në horizont, situata nuk duket optimiste as për muajt në vijim.

Ai nënvizon se sektori po përjeton një goditje të rëndë dhe qeveria duhet të reflektojë për ta mbështetur me masa specifike. Tashmë në tryezën e saj janë 12 kërkesa nga të gjithë shoqatat e turizmit në vend.

Si po ndikon situata e koronavirusit në sektorin e turizmit? A duhet të shqetësohemi vërtet për sezonin e këtij viti? 

Sot, sektori i turizmit është në kolaps, pasi ka nisur anulimi i udhëtimeve turistike të planifikuara për muajin mars, prill, maj. Pezull janë edhe grupet për qershorin dhe në ditët në vijim, në varësi të ecurisë që do të ketë situata ndërkombëtare.

Ne, prej vitesh operojmë me partnerë ndërkombëtarë me emër si Itaka, Der Turistik, Apollo, Tui. Jemi në pritje të vendimit të tyre, se çfarë do të ndodhë me sezonin e verës, pasi mund të vendosin për anulim të fluturimeve charter për sezonin veror 2020 dhe kjo nuk do të ishte e çuditshme, pasi kështu kanë bërë në shumë vende të tjera.

Anulimet kanë ndikim të madh te sektori i hotelerisë, pasi shumë prej tyre, në bazë të kontratave, kanë marrë deri në 50% parapagim, të cilat do të duhet t’i rikthejnë dhe kjo do të sjellë vetëm falimentimin e këtyre bizneseve për shkak të pamundësisë së likuiditetit. Shqipëria, në kushtet e sotme, nuk ka as imazhin e Italisë dhe as të Greqisë në sektorin e turizmit dhe çdo element që shtohet, qoftë ky edhe jashtë dorës sonë, siç është koronavirusi, peshon shumë më shumë tek ne, sesa tek ata që janë të konsoliduar.

Cilët janë grupet që kanë më shumë anulime sot nga ajo që keni konstatuar si Union?

Numrat më të mëdhenj të anulimeve u përkasin kryesisht grupeve që kanë edhe praninë më të lartë në vendin tonë nga turizmi i organizuar, që janë çekët dhe polakët. Anulimet janë bërë për muajt në vijim prill, maj dhe mesa shohim ne, do të ketë reduktime në maksimum. Shpresojmë që të mos vihet në diskutim sezoni veror se sot, pikërisht kjo po diskutohet, a do të arrijmë të kemi sezon veror.

Nordikët, nga ana tjetër, kanë qenë më pozitivë dhe ne jemi munduar që t’i mbajmë nën kontroll kontaktet me ta. Nga ky grup nuk ka shumë anulime. Problem është që edhe nëse bëhen anulime, ata që kanë bërë parapagesë mund të kërkojnë t’ju kthehen paratë dhe në një situatë të jashtëzakonshme, kontratat e kanë një klauzolë që e lejon këtë pa asnjë penalitet. Kjo do të ishte fatale për sektorin dhe sidomos për hotelerinë, e cila ka bërë investime të mëdha dhe është në procese kredish.

Kjo ishte goditja e dytë për sektorin pas asaj të tërmetit kur u kërkua një favorizim nga qeveria, por nuk u dha me paketë të dedikuar. A mendoni se sot një paketë në ndihmë të sektorit si modeli italian do ta ndihmonte turizmin?

Në raport me kërcënimin që po i kanoset sektorit të turizmit globalisht nga koronavirusi, tërmeti nuk ishte asgjë. Përmasa globale që ka ky shqetësim vë sektorin në vështirësi të madhe. Problemi nuk është se i shqetëson koronavirusi në Shqipëri. Çështja është që qytetarët po ndihen të pasigurt edhe në vendet e tyre dhe nuk e dinë se çfarë drejtimi do të marrë.

Ndaj themi që do të jemi në një sezon dhe vit jashtëzakonisht të vështirë. Ne kemi bërë një listë me kërkesa për qeverinë dhe shpresojmë që të reflektohet, duke i marrë parasysh pasi duhet të ndihmohet sektori në tërësi dhe hoteleria në veçanti. Duhet të ndihmohen punonjësit e sektorit gjithashtu. Ne kemi kërkuar pak a shumë që të shihet mundësia e subvencionimit të pagesave të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, të subvencionohet 50% e pagës të negociohet me bankat për kreditë, të shihet mundësia e lehtësimit për taksat e tarifat vendore apo taksën e pronës. Në total, janë 12 pika që ne i kemi dorëzuar tashmë zyrtarisht të gjitha shoqatat e turizmit.

Këtë vit, për shkak të situatës, u anulua edhe Panairi i Berlinit, më i madhi dedikuar turizmit. Shqipëria, nga ana tjetër, ishte në një nevojë emergjente për rikuperim imazhi post-tërmet. Si ndikon për vendin tonë moszhvillimi i një aktiviteti të rëndësishëm si ky panair?

Anulimi i panairit në Berlin ishte një goditje tjetër që merr sektori ndërkombëtarisht, jo vetëm Shqipëria. Ne kishim rënë dakord për këtë panair në axhendat tona, kishim planifikuar takime me turoperatorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, takime bussines to bussines, diskutime me partnerë. Nga ky panair kemi dalë përherë me kontrata të reja dhe me vlerë. Sigurisht këtë vit kjo mundësi u humb, por të shpresojmë që gjërat do të rregullohen disi në vijim.