Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një takim virtual me Kancelarin Federal të Austrisë, Sebastian Kurz, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale politike, menaxhimin e pandemisë COVID-19, distribuimin e vaksinave, procesin e liberalizimit të vizave, bashkëpunimin bilateral si dhe marrëveshjet për kredi të butë për ujëra, shkruan Gazeta Sinjali.
Kumtesa nga kryeministria njofton se Hoti e njoftoi Kurzin me zhvillimet aktuale dhe punën e Qeverisë. Bashkë biseduan edhe për përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Hoti e njoftoi Kancelarin Kurz, me masat që ka ndërmarrë Qeveria për minimizimin e pasojave që ka shkaktuar pandemia si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë ekonomik e social. Derisa po bisedonin për procesin e imunizimit dhe të vaksinimit kundër COVID-19, Hoti nga Kancelari Kurz mori konfirmimin se distribuimi i vaksinave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, do të bëhet në të njëjtën kohë”, theksohet në kumtesë.
Theksohet gjithashtu se bashkë kanë biseduar edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ku Hoti, mori mbështetjen e tij për vazhdimin e punës së Qeverisë në mirëmbajtjen e kritereve të plotësuara për liberalizim në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës sa më parë të mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.
“Me kërkesë të Hotit, Kancelari Kurz konfirmoi se Austria do të konsiderojë vazhdimin e marrëveshjes për kredi të butë me Kosovën, kryesisht për projekte për furnizim me ujë dhe trajtim të ujërave të zeza. Hoti dhe Kurzi vlerësuan lart marrëdhëniet midis dy vendeve duke shprehur gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit në çdo fushë me interes bilateral”, përfundon njoftimi.
Më 2018, në kuadër të programit për kredi të buta me Qeverinë e Austrisë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri i atëhershëm i financave Bedri Hamza në emër të Qeverisë së Austrisë, nënshkruan katër marrëveshje kredie për financim të projekteve lidhur me ujë.