Përmes një komunikate Sindikata e Punëtorëve të RTK-së i është drejtuar Kuvendit të Kosovës.
Kjo sindikatë ka kërkuar nga Kuvendi që të tregojnë nëse kanë filluar procedurat për miratimin e ligjit të ri të RTK-së, pasi deklaratat e anëtarëve të këtij komisioni ishin se do të nisnin procedurat në dhjetor të vitit që shkoi.
Po ashtu, kjo sindikatë ka bërë thirrje që kjo kërkesë e tyre të trajtohet me urgjencë.
Komunikata e plotë:
Sindikata e Punëtorëve e RTK-së
Kryesia e SPERTK-së
Kërkesë për Kuvendin e Kosovës
Sindikata e Punëtorëve e RTK-së, kërkon nga Kuvendi i Kosovës, konkretisht nga Komisioni për Media, të dijë se a kanë filluar procedurat për miratimin e ligjit të ri të RTK-së, pasi deklaratat e anëtarëve të këtij komisioni ishin se do të nisnin procedurat në dhjetor të vitit që shkoi.
Sindikata u bën thirrje që me urgjencë ta trajtojnë këtë kërkesë, sepse kushtet që kolegët tanë po punojnë janë shumë të rënda. Shumica e objekteve rrezikojnë të shemben dhe për këtë, dikush nga institucionet tona duhet të marrë përgjegjësi.
Ju kemi bërë thirrje disa herë për këto çështje dhe nuk po marrim përgjigje konkrete.
Sindikata po ashtu kërkon nga Kuvendi, që me rishikim të buxhetit, t`ia kthejë RTK-së 2.1 milionë eurot, të cilat i janë hequr nga Qeveria në mënyrë arbitrare dhe joligjore. Heqjen e 2.1 milionë eurove do ta dërgojmë shumë shpejt te organet e drejtësisë, sepse konsiderojmë se buxheti i RTK-së është shkurtuar në mënyrë joligjore.
Shkurtimi i buxhetit nga ana e Qeverisë ka shkaktuar probleme të mëdha në RTK. Të gjitha veprimet ligjore të bazuara në ligjin për organizim sindikal, do t`i marrim ditëve në vijim.
Për hapat e ardhshëm do t`ju njoftojmë publikisht. Sindikata nuk i përjashton as protestat, nëse këto çështje nuk rregullohen shpejt.
Ju lutem shihni attach disa nga fotot e viteve të fundit se si përfshihen nga uji hapësirat e RTK-së gjatë kohës së reshjeve të shiut
Sinqerisht,
Kryesia e SPERTK-së