image Sikur për koalicionet, partitë politike po presin afatin e fundit për listat e deputetëve

Kosovë

Zgjedhje/ Sikur për koalicionet, partitë politike po presin afatin e fundit për listat e deputetëve

news image

Kanë mbetur edhe tri ditë afat kur subjektet politike duhet të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 6 tetorit si dhe të dorëzojnë listën e kandidatëve që do të garojnë për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ndonëse partitë politike janë deklaruar se janë në fazën e përpilimit të listave, ashtu sikur në rastin e regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore, duket se po e presin afatin e fundit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Sinjalin se deri më tani asnjë nga subjektet politike nuk ka aplikuar me listat zgjedhore.

 “Tashmë  dihet se ky afat përmbyllet të premten, më 6 shtator, në orën 24:00. Deri në këto momente që po flasim nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga subjektet politike për pjesëmarrje në zgjedhje, tha Elezi.

Pas pranimit të aplikimit të partive politike fillon faza e shqyrtimit  dhe në rast nevoje kërkohen përmirësimet/korrigjimet dhe pas kësaj KQZ vendos lidhur me aprovimin apo refuzimin e certifikimit.

Elezi, nuk e mohon mundësinë e refuzimit për certifikim të ndonjë subjekti politik:

“KQZ-ja mund të refuzojë certifikimin e një subjekti politik dhe në këtë rast subjekti politik mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas vendimit refuzues të KQZ-së. Pasi të përmbyllet edhe çështja e ankesave eventuale, edhe pse një subjekt politik është certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje – mund të tërhiqet nga lista e subjekteve politike që garojnë në këto zgjedhje”, tha ai.

Se a do të jetë përbërje e përafërt e emrave që do të hyjnë në legjislaturën e re pas zgjedhjeve të 6 tetorit kjo ende mbetet enigmë.

Megjithatë, për disa nga partitë dhe koalicionet edhe pse nuk dihen kandidatët që do të futen në listë, janë të qartë emrat e atyre që do t’i udhëheqin këto lista. Kreu i PDK-së Kadri Veseli, i cili është edhe kandidat i kësaj partie për kryeministër, do të jetë edhe bartës i listës së deputetëve.

Nga koalicioni AAK-PSD bartës liste do të jetë lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, ndërsa nga koalicioni Nisma-AKR-PD listës do t’i prijë kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.

Ndryshe tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, që do të bëhet më 17 shtator./Sinjali/