Kryeministria e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq kanë deklaruar se Serbia është e gatshme të përgjigjet në çdo përshkallëzim të situatës pas aplikimit të masës së paralajmërimit nga Qeveria e Kosovës për ata që nuk i kanë zëvendësuar ende tabelat në RKS.
Këto “kërcënime”, Ministria e Mbrojtjes i sheh si deklarata dezinformuese të lëshuara nga autoritetet serbe.
Shefi i komunikimit strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Sefer Isufi tha për Gazetën Sinjali se nuk ka vend për panik.
“Absolutisht nuk ka vend për panik. Deklaratat e autoriteteve serbe janë në vazhdën e dezinformatave që tashmë janë rutinë e autoriteteve serbe”, tha ai.
Ai shtoi se Serbia është shteti i vetëm nga i cili ka potencial për rrezik të sigurisë, kjo për shkak të historisë mes dy shteteve.
“Në kuadër të politikave tona të sigurisë dhe në kuadër të strategjisë që është miratu, e dijmë se potenciali më i lartë i rrezikut apo cenimit të mjedisit në Kosovë është kërcënmi i Serbisë për integritetin e Kosovës”, u shpreh ai.
Në Veriun e vendit gjenden edhe forcat e KFOR-it të cilat janë të angazhuara për të mbrojtur sigurinë në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.
Isufi tha se për sigurinë e vendit janë në bashkëpunim me KFOR-in dhe se ministri i kësaj ministrie, Armend Mehaj është duke zhvilluar takime të rregullta me komandatin e KFOR-it.
Ndryshe, nga data 1 nëntor, ka nisur së zbatuari faza e qortimit për shoferët që nuk i kanë riregjistruar makinat.
“Për tri javë nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor do të jetë e faza e çortimit nga 11 nëntor deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë pas të cilës datë, më 21 prill nuk do të lejohen targa tjera”, ka thënë kryeministri Albin Kurti pas mbledhjes së Qeverisë.