Kosova i ka ofruar ndihmë Shqipërisë pas helmimeve të qytetarëve në Krujë. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës ka shprehur gatishmërinë për asistencë të plotë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Si vëllai për vëllain”, shkroi Mehaj, i cili kërkoi nga të gjitha kapacitetet specialistike të FSK-së të qëndrojnë në gjendje gatishmërie për ofruar të gjithë asistencën e mundshme.
Njoftimi i plotë:
Si vëllai për vëllain,
Sot gjatë gjithë ditës kam qëndruar në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare, dhe në vecanti me homologun tim, z. Niko Peleshi, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemajl Minxhozi, si dhe zyrtarë të tjerë nga Republika e Shqipërisë për të shprehur gatishmërinë për asistencë të plotë nga ana e Forcës së Sigurisë së Kosovës me rastin e helmimit të qytetarëve në Krujë.
Kam kërkuar që të gjitha kapacitetet specialistike të Forcës së Sigurisë së Kosovës të qëndrojnë në gjendje gatishmërie për ofruar të gjithë asistencën e mundshme.
Si vëllai për vëllain, Ministria e Mbrojtjes me të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së, janë dhe do të jenë gjithmonë në dispozicion për të ndihmuar autoritetet e Republikës së Shqipërisë dhe qytetarët e saj./Gazeta Sinjali/