image Si u bë që policët që torturuan qytetarin duarlidhur të kthehen në punë nga Rashit Qalaj

Kosovë

Dhuna/ Si u bë që policët që torturuan qytetarin duarlidhur të kthehen në punë nga Rashit Qalaj

news image

Vetëm një muaj suspendim kishte rekomanduar Inspektorati Policor i Kosovës ndaj komandantit të stacionit Policor të Gjakovës, Kristë Gjokaj dhe pesë vartësve të tij të cilët kishin ushtruar torturë dhe dhunë brutale ndaj një qytetari duarlidhur.

Më herët, shumëkush në mungesë të informatave rreth asaj që ka ndodhur, ka mundur të besojë në seriozitetin e trajtimit meritor të kësaj çështjeje nga ana e Policisë. Por, pas publikimit të videos ekskluzive nga Gezeta Sinjali ku shpërfaqet trajtimi çnjerëzor dhe tortura ndaj qytetarit me duar të lidhura, masa ndaj dhunuesve të veshur me uniforma policore të shtetit duket jo serioze dhe skandaloze.

Inspektorati Policor i Kosovës, pasi e kishte parë tërë incizimin e torturës brenda stacionit policor të Gjakovës, pas një muaji, çuditshëm i kishte rekomanduar Policisë që t’u ndërpritet masa e suspendimit ndaj komandantit të Policisë së Gjakovës, Kristë Gjokajt dhe pesë vartësve të tij, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo është konfirmuar edhe nga Inspektoriati Policor i Kosovës.

“Këto video incizime janë analizuar nga hetuesit e IPK-së dhe në konsultim me prokurorin kompetent pas ndërmarrjes edhe të shumë veprimeve hetimore më 9 shtator 2019 IPK ka dorëzuar kallëzimin penal në prokurorinë kompetente lidhur me këtë rast me dyshimin se zyrtarët policorë kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” disa prej tyre në bashkëkryerje kurse njëri nga ta veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare  apo autoritetit publik”. Në përputhje me ligjin e IPK-së, pas ngritjes së kallëzimit penal, IPK ka vlerësuar se të njëjtit nuk pengojnë procedurën hetimore dhe i ka rekomanduar Policisë së Kosovës ndërprerjen e masës së suspendimit për këta gjashtë zyrtarë policorë  (një major, një kapiten, një rreshter dhe tre zyrtarë policorë)”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dërguar Gazetës Sinjali.

IPK thotë se hetuesit e saj veprimet hetimore i kishin ndërmarrë në konsultim me prokurorin kompetent.

Policët dhunues më 13 shtator ishin kthyer në funksionet e tyre zyrtare në vendin dhe pozitën e njëjtë që e kanë pasur, duke konfirmuar që dhuna brutale e ushtruar nga ta nuk i ka lënë shenjë fuqisë së tyre brenda Policisë. Vendimi për ndërprerje të suspendimit ishte marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

“Me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës ju ndërpritet suspendimi i përkohshëm prandaj duhet të paraqiteni ne vendin tuaj të punës më 13 shtator në orës 08:00” , thuhet në vendimin e nënshkruar nga Qalaj.

Komandanti i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, është mjaftuar me një deklarim për Gazetën Sinjali, ku ka dënuar dhunën brutale ndaj qytetarit me duar të lidhura të ushtruar nga komandanti i Stacionit Policor të Gjakovës, Kristë Gjokaj dhe pesë vartësit e tij të dyshuar për përfshirje në këtë rast, kapiteni Bekim Preqi, rreshteri Gëzim Biblekaj si dhe Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limanaj.

Qalaj ka thënë se dhuna ndaj të prangosurit është e papranueshme pavarësisht se për kënd bëhet fjalë. /Gazeta Sinjali/