image Si ndryshoi situata, Hoti takohet me Vuçiqin në Bruksel, Thaçi intervistohet në Hagë

Politikë

Si ndryshoi situata, Hoti takohet me Vuçiqin në Bruksel, Thaçi intervistohet në Hagë

news image

Pas rreth 20 muajsh ‘ngrirje’, sot në Bruksel do të rinis dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përpos përmbajtjes, për çështjen e dialogut me Serbinë problem i madh në Kosovë kishte qenë edhe çështja e kryenegociatorit. Tani, kjo çështje më nuk është as e diskutueshme, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këtë takim s’do të mund ta përcjellë as nga afër presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili pritet që rreth mesditës të shkojë në selinë e Dhomave të Specializuara për t’iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për ditën e katërt radhazi, pas publikimit të aktakuzës kundër tij për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit.

Teksa emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell po paralajmëronte rifillim të dialogut nën ndërmjetësimin e tij, kryeministri Hoti thoshte se kushtetuta e obligon atë që ta udhëheqë dialogun me Serbinë. Në anën tjetër, presidenti Thaçi përsëriste se ai e udhëheq politikën e jashtme.

Grenell e kishte caktuar për 27 qershor një takim ndëmjet Kosovës dhe Serbisë në Washington.

Kur Thaçi po udhëtonte drejt SHBA-së, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë e kishte publikuar njoftimin për aktakuzë kundër tij, kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit dhe 9 të tjerëve për krime lufte dhe krime të ndryshme kundër njerëzimit.

Siç tha vetë ai pasi u kthye në Kosovë, Specialja ia ndali në gjysmë rrugën për Washington. Atë rrugë, pa Thaçin pritet ta bëjë shumë shpejt kryeministri Avdullah Hoti, pasi emisari Richard Grenell ka paralajmëruar se së shpejti do të caktohet data tjetër e takimit Kosovë-Serbi.

Teksa para pak ditësh Hoti mori pjesë në Samitin virtual të Parisit karshi Vuçiqit, Thaçi po bëhej gati për të shkuar në Hagë, pasi njoftoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte dërguar një ftesë për intervistim.

Nga e hëna, Thaçi është duke u marrë në pyetje nga prokurorët. Këtë do ta bëjë edhe sot, ndërsa kryeministri Avdullah Hoti do të takohet në Bruksel me Vuçiqin.

Të pranishëm do të jenë shefi i diplomacisë së BE, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Ata pritet që të zhvillojnë fillimisht takime të ndara me përfaqësuesit e dy vendeve, për të pasuar më vonë më një takim të përbashkët.

Ky fakt e ka irrituar Adil Behramajn, njërin prej shumë këshilltarëve të presidentit Hashim Thaçi.

Përmes një postimi në Facebook, Behramaj ka thënë se në ditën kur presidenti i vendit po intervistohet për shpifjet e regjimit serb, Avdullah Hoti ka zgjedhur t’i zgërdhihet Vuçiqit në Bruksel.

“Në ditën kur presidenti i vendit po intervistohet për shpifjet e regjimit serb, Avdullah Hoti ka zgjedhur t’i zgërdhihet Vuçiqit në Bruksel. Ky paska qenë ekipi i unitetit për të cilin na fliste!”, ka shkruar ai ndër tjerash. /Gazeta Sinjali