Pronari i kompanisë “Comnicom Marketing”, Fazli Dibrani, dyshohet se e ka shtënë me armë drejt punëtorit të tij, Bers Statovcit, duke e lënë të plagosur, raporton Gazeta Sinjali.
Statovci është plagosur me një plumb afër shputës së këmbës së djathtë, duke kërkuar më pas ndihmë mjekësore në QKUK.
Sipas dëshmitarëve të pyetur nga Policia, që e panë ngjarjen në rrugën “Afrim Vitija” në Prishtinë, gjuajtja me armë është bërë nga një veturë e tipit Peugot, ngjyrë hiri, në të cilën gjendej Fazli Dibrani dhe 2 persona të tjerë. Gjithnjë sipas dëshmitarëve, këta tre persona kanë pasur një fjalosje të mëhershme në rrugë me një grup tjetër, dhe më pas është shtënë me armë. Pas kësaj, ata janë larguar shpejt nga vendi i ngjarjes.
Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur një gëzhojë të kalibrit të armës së vogël.
Njësitë e hetimeve dhe forenzikës kanë dalur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe për rastin është njoftuar edhe njësia e krimeve. /Sinjali