Sot ishte paralajmëruar seanca ku asamblistët e Kuvendit Komunal të Gjilanit do të mblidheshin për të votuar kryesuesin, por bëhet e ditur se kjo seancë është shtyrë.
Kështu njoftoi Komuna e Gjilanit, por që nuk ka treguar se kur do të jetë dita që do të mbahet.
“Njoftim: Shtyhet seanca e Kuvendit Komunal. Seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit, e paraparë për sot, shtyhet për një ditë tjetër, e cila do të vendoset ndërkohë”, njofton Komuna.
Mbledhja ishte paralajmëruar të fillojë në orën 10:00.
Deri më tani Vetëvendosje si partia fituese e zgjedhjeve në krye me Alban Hysenin nuk kanë arritur që të bëjnë koalicion, ani pse ishin në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës.
Më të dalë fitues i zgjedhjeve, Hyseni kishte deklaruar se nuk e përjashton mundësinë e koalicionit me PDK-në në këtë komunë. Ai pati deklaruar se e përjashton koalicionin me LDK-në meqë me të kanë qenë në garë të drejtpërdrejtë.
Më 9 dhjetor, Hyseni u betua si kryetar i Komunës së Gjilanit e i cili mori detyrën nga Lutfi Haziri i cili kishte qeverisur me këtë komunë për tetë vite./GazetaSinjali/