Gjykata Themelore në Prizren, ka marrë vendim që Kosova t’ia paguajë 95 mijë euro familjes së Diana Kastratit, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë, e kishte neglizhuar rastin e vajzës së tyre të ndjerë, rrjedhimisht duke i shkelur asaj të drejtën në jetë.
Këtë e bëri të ditur ish-deputeti Korab Sejdiu, i cili së bashku me kompaninë e tij, kishte qenë avokat i familjes Kastrati.
Në njoftimin e “Shoqëria e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini” SHPK”, thuhet se ky rast është vazhdimësi e rastit të mirënjohur që familja Kastrati e fitoi kundër Republikës së Kosovës në Gjykatën Kushtetuese.
Diana Kastrati ishte vrarë nga bashkëshorti i saj në vitin 2011. Vrasja e saj kishte ndodhur ndonëse ajo disa herë radhazi kishte raportuar në organet e sigurisë në Kosovë, për rrezikun që i kanosej nga bashkëshorti i saj.
“Fitore shumë e madhe për viktimat e dhunës në familje. Faleminderit Familja Kastrati për insistimin qe drejtësia të triumfojë!”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.