Ndërsa po bëhen përpjekje për t’i kthyer serbët e zhvendosur nga Kosova në vendet e tyre nga ku u larguan pas luftës së vitit 1999, ata të cilëve iu është mundësuar kthimi, po i shesin shtëpitë e reja të ndërtuara ose të rinovuara.
Këtë e konfirmon zyrtari për kthim në Komunën e Prizrenit, Spasa Andrejeviq.
Vetëm në vendbanimin e Prizrenit, Nënkalaja, që nga viti 2010 janë ndërtuar 34 shtëpi me mjete të Ambasadës Britanike në Kosovë. Megjithatë, aktualisht vetëm në tri prej tyre ka banorë, ndërsa pjesa tjetër janë të braktisura dhe disa janë shitur.
“Si zyrtar, nuk jam i kënaqur me zgjedhjen e përdoruesve, njerëzve të cilëve u janë ndërtuar shtëpitë dhe nuk jetojnë në to, dhe më shumë jam i pakënaqur me faktin se shtëpitë e reja po shiten”, thotë Andrejeviq.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me disa familje që kanë shitur shtëpitë e tyre në Prizren, por edhe në Klinë afër Pejës, por ata nuk kanë dashur të flasin publikisht për këtë gjë.
Spasa Andrejeviq thekson se nuk ka të dhëna të sakta se sa shtëpi janë shitur sepse “nuk merren me shitjen, por me kthimin”.
“Fatkeqësisht, rrethanat janë të tilla, ka shitje, nuk mund të them jo, por nuk po merrem me këtë. Por, si fenomen ekziston”, thotë ai.
Ai, gjithashtu, pohon se personat e zhvendosur nuk nënshkruajnë asnjë kontratë kur vendosin të kthehen, që do të thotë se asgjë nuk i pengon ata ta shesin pronën e tyre.
Cilat janë kushtet për kthim?
Personave të zhvendosur nga Kosova iu ndërtohen shtëpitë me fondet e organizatave ndërkombëtare, të Bashkimit Evropian, por edhe të Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Disa nga kushtet për kthimin e familjeve të shpërngulura janë që ata të posedojnë pronë që është shkatërruar, pa pasur pronë tjetër dhe të mos kenë shitur asgjë.
Ministria kompetente ofron edhe të ashtuquajturat ‘paketë ndihme’ që parashikon rindërtimin e shtëpisë në varësi të numrit të anëtarëve, orenditë, ushqim për një periudhë të caktuar dhe ndihmën socio-ekonomike.
Shitje edhe në Klinë
Edhe drejtoresha e Zyrës për Komunitete dhe Kthim të Komunës së Klinës, Silvija Rashkoviq, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se shtëpitë në vendet ku janë kthyer qytetarët, po shiten.
Klina është një nga komunat e Kosovës në rajonin e Pejës, rreth 60 km nga Prishtina.
“Prona private është pronë private, ata kanë të drejtë të tjetërsojnë pronën e tyre, ne nuk mund të bëjmë asgjë për këtë”, shpjegon Rashkoviq.
As ajo nuk ka një numër të saktë të shtëpive të shitura në territorin e komunës së Klinës. Sipas saj, shitja po ndodh sepse kryesisht të moshuarit kthehen, por pas një kohe vendosin të shkojnë sërish në Serbi.
Radio Evropa e Lirë u përpoq disa herë të merrte një përgjigje nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, për shitjen e shtëpive dhe keqpërdorimin e ndihmave, por pa sukses.
Në një ngjarje më 24 maj, Rakiq i tha ekipit të Radios Evropa e Lirë se nuk ishte koha apo vendi për të folur për këtë, por theksoi se ishte në dijeni të faktit që shtëpitë e të kthyerve po shiteshin.
Rakiq bisedon me të zhvendosurit për kthimin në Kosovë
Më 19 maj në Beograd, ministri Rakiq u takua me familjet e zhvendosura nga komuna e Prizrenit dhe ajo e Pejës, të cilëve u dha mbështetje për kthimin e tyre në Kosovë. Në mesin e të pranishmëve ka qenë edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
“Dyzet prej tyre (familjet) sot morën mbështetje për t’u kthyer në Kosovë. Shumica e tyre do të kthehen në Kosovë përmes Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM)”, ka shkruar Rakiq në llogarinë e tij në Facebook.
Siç është paralajmëruar, ministri Rakiq u ka thënë familjeve se kanë mbështetjen absolute të ministrisë, e cila po bën që ata të kthehen në vendet ku kanë jetuar pas më shumë se dy dekadash.
“Besoj se kjo është një ditë e madhe për familjet, por edhe për ne, sepse vetëm kështu mund t’i çojmë gjërat përpara kur është fjala për kthimin, i cili ka kohë që ka ngecur”, tha Rakiq.
E drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, tha se edhe Qeveria e Serbisë do t’i ndihmojë të zhvendosurit që kthimi i tyre të jetë i qëndrueshëm.
“Ne kemi programe të shumta për të zhvendosurit përmes ndihmës në materiale ndërtimore, ndihmë financiare, mbjellje dhe material bujqësor, ndihmë juridike falas”, tha Petkoviq.
Gjithashtu u njoftua se përfaqësuesit e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim të Qeverisë së Kosovës, së bashku me përfaqësuesit e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, do të vizitojnë qytetet e tjera në Serbi – Lazarevc, Çaçak, Smederevë, Lapovë, Nish, Aleksandrovac dhe Pirot – për të biseduar me të zhvendosurit për kthimin e tyre të mundshëm.
‘Abuzim me ndihmën’
Përveç faktit se të kthyerit i shesin shtëpitë e tyre pas ndërtimit dhe rinovimit, shumë serbë të zhvendosur vendosin të largohen përsëri pas “kthimit” dhe shtëpitë mbeten bosh.
Milomir Ribaq, një nga organizatorët e kthimit kolektiv të serbëve të zhvendosur në Dresnik afër Klinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se 41 shtëpi janë ndërtuar për serbët në këtë vend ndërmjet viteve 2002 dhe 2005, porse shumica nuk jetojnë më atje.
“(Shtëpitë) po fundosen gjithnjë e më shumë”, thotë ai.
Sipas tij, shtëpitë që nuk janë shitur, janë braktisur për shkak se të kthyerit largohen pasi kanë marrë ndihmë dhe shtëpinë.
“Marrin donacione për bujqësinë dhe shkonin, e shisnin atë dhe largohen”, tregon ai.
Si kaloi procesi i kthimit në Kosovë?
Procesi i kthimit të personave të zhvendosur në Kosovë filloi pas përfundimit të luftës në vitin 1999, kur më shumë se 800.000 shqiptarë të Kosovës të dëbuar gjatë luftës fillimisht u kthyen, e në të njëjtën kohë u larguan serbët.
Sipas legjislacionit, të gjithë personat e zhvendosur kanë të drejtë të kthehen në Kosovë dhe për këtë i ndihmon vetë shteti i Kosovës.
Sipas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, e cila ka funksionuar që nga viti 2005, rreth 226,000 qytetarë të Kosovës, kryesisht serbë, ikën nga shtëpitë e tyre pas konfliktit të qershorit 1999 në Kosovë. Ndërkohë, janë kthyer rreth 30 mijë qytetarë, por nuk ka të dhëna të sakta për ata që janë larguar sërish apo i kanë shitur pronat e tyre.