image Shtëpia çahet nga shiu, familja 7 anëtarëshe në Hajvali do të fle "mbi ujë"

Sociale

Shtëpia çahet nga shiu, familja 7 anëtarëshe në Hajvali do të fle “mbi ujë”

news image

Reshjet dhe vërshimet e ditëve të fundit e lanë pa kulm mbi kokë familjen shtatë anëtarëshe nga Hajvalia e Prishtinës, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryefamiljari, Milaim Xhaferi, tha për Gazetën Sinjali se tash e dy ditë nga vërshimet dhe reshjet atmosferike, muret dhe dyshemeja e shtëpisë së tij janë çarë.

Ai thotë se nga të çarat, shtëpia është mbushur me ujë, duke ia dëmtuar edhe rezervat e ushqimit që i kishte siguruar për dimër.

43-vjeçari thotë se banimi në këtë shtëpi tanimë është i pamundur, por se nuk kanë vend tjetër ku të shkojnë.

“Uji na ka prishë me miell, me krejt rezervat e ushqimit që i kemi pasë për dimër. Tmerr, motër, nuk po dimë as nuk po kem ku me shku. Kështu në këtë gjendje, ‘mbi ujë’, kemi me flejtë shtatë anëtarë të familjes”, tha ai.

Milaim Xhaferi thotë se ka një lopë e një viç që ia kanë dhuruar fqinjët, por që edhe stalla e tyre është mbushur me ujë dhe se është në rrezik edhe jeta e tyre.

Ai thotë se ka kontaktuar me Komunën e Prishtinës, por nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga ta.

Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që Komuna “e injoron”. Ka 4 vjet që në oborrin e shtëpisë së tij derdhet një kanalizim, por ky institucion nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, edhe pas ankesave të panumërta të tij.

Të vetmit që i kanë dalë në ndihmë për ta larguar ujin nga shtëpia thotë se janë zjarfikësit.

Këta të fundit kanë shkuar sonte në shtëpinë e tij për ta larguar ujin, por që nuk kanë arritur t’ia dalin, sepse u është bllokuar pompa.

Kryefamiljari nga Hajvalia thotë se zjarrfikësit i kanë thënë se nuk do të kthehen më, me arsyetimin se nuk po kryejnë punë asgjë.

Milaim Xhaferi shpresat i ka varur në bamirës, të cilëve u bënë apel që ta ndihmojmë.

Të gjithë ata që kanë mundësi ta ndihmojnë familjen Xhaferi, mund të kontaktojnë personalisht kryefamiljarin në numrin kontaktues: 045 654 658./Gazeta Sinjali/