image Shqiptari ekstradohet nga Italia, dyshohet se vrau babë e bir

Rajon

Rajoni/ Shqiptari ekstradohet nga Italia, dyshohet se vrau babë e bir

news image

Një person i shumëkërkuar ka rënë në pranga. Policia bëri të ditur se është kapur në Itali dhe sot është ekstraduar drejt Shqipërisë, 28-vjeçari nga Elbasani, Etjen Cani. Ai është autori i dyshuar i vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit në Elbasan, në vitin 2012.

Policia përmes një njoftimi bëri të ditur se: “Specialistët e Interpol Tirana bënë ekstradimin nga Milano, Itali drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar E. C. 28 vjeç, banues në Elbasan”.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Shtetasi E. C. është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 15.08.2012, në qytetin e Elbasanit, ku janë vrarë me armë zjarri babë e bir, shtetasit G. B. dhe N. B.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë”.

Ngjarja

Në 15 gusht të vitit 2012, 40-vjeçari Gentjan Beqiri është ekzekutuar në banesën e tij bashkë me të atin , i cili ishte i pranishëm në atë moment. Dyshohet se vrasjet janë kryer për motive hakmarrjeje, pasi në 2005-n Gentjan Beqiri është akuzuar nga organet e drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, vrasje e cila ka ndodhur në një prej bareve të Elbasanit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

Prej disa kohësh, 40-vjeçari Gentjan Beqiri ishte në “Arrest shtëpie” për këtë vrasje. Etien Cani dhe viktima, Gentian Beqiri ishin shokë të ngushtë me njëri-tjetrin. Gentian Beqiri u qëllua me tre plumba në kokë, teksa flinte në dhomën e gjumit në apartamentin e tij. Ndërsa babai i tij u rrah barbarisht me sende të forta duke humbur jetën. /Gazeta Sinjali/