image Shqipëria nesër zgjedh kryeprokurorin e ri, këta janë kandidatët

Rajon

Drejtësi/ Shqipëria nesër zgjedh kryeprokurorin e ri, këta janë kandidatët

news image

Kuvendi i Shqipërisë pritet që të zgjedhë nesër kryeprokurorin e ri të vendit, me një mandat 7-vjeçar. Edhe pse kanë mbetur edhe 2 javë nga skadimi i afatit 1-mujor, Parlamenti e ka përfshirë në agjendën e punimeve të ditës së enjte zgjedhjen e kryeprokurorit.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka përzgjedhur tre kandidatura për pozicionin e kryesuesit të akuzës shqiptare, duke renditur të parin prokurorin Olsian Çela me 459 pikë. Përpos Çelës, në garë janë edhe kryeprokurorja aktuale e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku me 406 pikë dhe Fatjona Memçaj (362 pikë).

KLP-ja ka depozituar pranë Kuvendit tri kandidaturat më 21 nëntor, ndërsa deputetët kanë afat deri më 21 dhjetor për miratimin e njërit prej tyre si prokuror i Përgjithshëm i vendit për një periudhë prej 7 vjetësh pa të drejtë rikandidimi.

Votimi i kryeprokurorit të Përgjithshëm të vendit vjen në një kohë që në tre qarqe të vendit është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, që shkaktoi 51 viktima. Aktualisht, kryeministri Edi Rama ndodhet jashtë vendit e nuk dihet nëse do të jetë i pranishëm në seancën e nesërme parlamentare.