image Shqipëria e bën të detyrueshëm vaksinimin për administratën publike

Shqipëri

Shqipëria e bën të detyrueshëm vaksinimin për administratën publike

news image

Komiteti Teknik i Ekspertëve i Shqipërisë ka dalë të enjten më 2 dhjetor me një sërë masash të reja për t’u mbrojtur nga përhapja e koronavirusit.

Vendimi i parë që është marrë më 2 dhjetor ishte se të gjithë personat në moshën mbi 18-vjeç mund të marrin dozën e tretë përforcuese nëse janë të vaksinuar me dy doza të vaksinës kundër koronavirusit të paktën 6 muaj më parë.

Nga sot çdo qytetar plus 18 vjeç mund të bëjë dozën e tretë të vaksinës nëse ka kaluar 6 muaj nga aplikimi i dozës së dytë”, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ekspertët epidemiologë në Shqipëri, po ashtu, morën vendim që deri më 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare që nuk janë vaksinuar, të vaksinohen, pasi më 4 janar do të kërkohet karta e vaksinimit ose prova e testit PCR negativ çdo 5 ditë.

Komiteti, gjithashtu, tha se duke u nisur nga fakti që varianti i ri, Omicron, është identifikuar në qytetarë që kanë pasur histori udhëtimi e kontaktesh me vende të Afrikës së Jugut, rekomandon ndalimin e hyrjes të shtetasve të huaj me histori udhëtimi brenda 14 ditëve të fundit në Afrikën e Jugut, në Keni, Angolë, Zambi, Bostvana dhe Senegal, shkruan REL.

Shtetasit shqiptarë rezidentë, që vijnë në Shqipëri dhe kanë histori udhëtimi 14 ditët e fundit para mbërritjes, në vendet e listuara do të karantinohen në shtëpitë e tyre për 14 ditë dhe do të monitorohen nga njësitë shëndetësore”, thuhet në njoftimin për media të Komitetit.

Ndërkohë, në fuqi mbetet masa e orës policore, nga ora 23:00 – 06:00. Mes tjerash qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë transit, duhet të vazhdojnë të dorëzojnë një nga dokumentet që tregojnë se janë negativë ose kanë të dyja dozat e vaksinës.

Në Shqipëri, prej fillimit të fushatës së vaksinimit janë dhënë në total 2,111,797 doza të vaksinës kundër COVID-19, apo është vaksinuar rreth 33 për qind e popullsisë.

Me një dozë janë imunizuar 1,075,332 qytetarë, me dozën e dytë janë imunizuar 965,964 qytetarë, ndërkaq janë dhënë edhe 70,501 doza të treta.

/GazetaSinjali/