Një i mitur e ka plagosur aksidentalisht dajën e tij me një armë sportive, në Përmet të Shqipërisë, raporton Gazeta Sinjali.
Policia e Shqipërisë njofton se ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 14:30.
Sipas policisë, i mituri me inicialet R.U., ishte duke luajtur në oborrin e banesës, kur dyshohet se aksidentalisht ka plagosur me armë sportive dajën e tij, 28-vjeçarin me inicialet Nj.L, banues në Përmet.
Për shkak të plagës që e ka marrë në shpatull, 28-vjeçari është dërguar në spital dhe momentalisht ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë, Grupi hetimor sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën sportive.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 14:30, datë 31.08.2021, në Përmet, shtetasi i mitur R. U., duke luajtur në oborrin e banesës, dyshohet se aksidentalisht ka goditur në shpatull me armë sportive (dajën e tij) shtetasin Nj. L., 28 vjeç, banues në Përmet, i cili ndodhet në Spitalin Gjirokastër, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën sportive.
Gjithashtu specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Përmet referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet dhe për shtetasin B. A., 38 vjeç, banues në Përmet, i cili dispononte armën sportive pa lejen përkatëse./Gazeta Sinjali/