image Shqelma e shuplaka veç pse e derdhi jogurtin në dysheme/ Gruaja në Ferizaj denoncon burrin për dhunë në familje - Sinjali

Shqelma e shuplaka veç pse e derdhi jogurtin në dysheme/ Gruaja në Ferizaj denoncon burrin për dhunë në familje

news image

Motivet e dhunës që përjetojnë gratë në familjet kosovare janë nga më të ndryshmet, por në shumicën e rasteve janë të ulëta dhe mjaft banale. Jo rrallëherë ka ndodhur që ngjarje të tilla të përfundojnë me fatalitet. E për të mos ndodhur më e keqja, një grua nga Ferizaj që u sulmua nga bashkëshorti i saj për një jogurt, ka vendosur ta denoncojë në Polici.

Sinjali ka mësuar se rasti ka ndodhur në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, dje, në orët e pasdites, në Ferizaj.

Një mosmarrëveshje verbale kaloi na konflikt fizik dhe si pasojë gruaja u sulmua nga bashkëshorti u saj, për një arsye banale.

Gjithçka dyshohet se ndodhi pasi i dyshuari u kthye nga puna në shtëpi, teksa me vete kishte marrë edhe disa produkte ushqimore. Gruaja, e cila kishte qenë duke e përgatitur drekën, përveç që nuk mori asnjë përshëndetje, ajo u sulmua për shkak se një jogurt që kishte blerë bashkëshorti i saj, i kishte rënë aksidentalisht në dysheme.

Burri i dyshuar, pa fije dhembshurie, sulmoi gruan me grushte në pjesët e trupit, e me shuplaka në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Si pasojë e dhunës, ajo mori trajtim në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt.

Me t’u denoncuar rasti, Policia ka shoqëruar dhe intervistuar të dyshuarin në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij për denoncimin kundër tij.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si dhunë në familje, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin