Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kërkuar ndihmën e ndjekësve të tij në rrjetin social Twitter për të kuptuar se çfarë vendimi shfuqizoi sot Qeveria Hoti lidhur me reciporcitetin, shkruan Gazeta Sinjali.
Ahmeti ka pyetur nëse bëhet fjalë për vendimin e fundit të Qeverisë Kurti lidhur me masën e reciprocitetit apo për ndonjë vendim tjetër.
“Pyetje e sinqertë – A mundet dikush me më tregu për cilin reciprocitet po flitet? A po flitet për vendimin dy ditë para se me u ndërru qeveritë apo ka edhe ndonjë vendim tjetër?”, ka shkruar Ahmeti në Twitter.
Nën udhëheqjen e kryeministrit Hoti, ekzekutivi ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars 2020 të qeverisë së kaluar Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë.
Vendimi që u shfuqizua në mbledhjen e sotme të ekzekutivit, ndalonte futjen e mauneve dhe mallrave serbe të cilat nuk i referohen Kosovës me emrin “Republika e Kosovës”./Gazeta Sinjali/