Gjykata e Qarkut në St.Gallen e kishte shpallur fajtor shtetasin 69-vjeçar të Kosovës për vrasje nga pakujdesia (në gjendje afekti) në shtator të vitit 2020.
Gjykata e kishte dënuar atë me gjashtë vjet e gjysmë burg dhe me dëbim nga vendi për shtatë vjet.
Kundër këtij aktgjykimi i akuzuari u ankua. Në seancën e apelit, avokatët e tij mbrojtës kërkuan dënimin me dy vjet burg dhe heqjen dorë nga dëbimi nga vendi.
Në seancën e apelit, i akuzuari tha se kishte ardhur në Zvicër gati 50 vjet më parë për shkak se gjendja ekonomike në vendin e tij ishte shumë e keqe, shkruan tagblatt.ch. Në vitin 1979 u martua me një bashkatdhetare dhe patën pesë fëmijë.
Gruaja dhe fëmijët fillimisht kanë qëndruar në Ballkan dhe nga viti 1994 janë zhvendosur edhe ata në Zvicër. Fillimisht, jeta me gruan e tij shkonte shumë mirë, shpjegon ai. Por, me daljen e tij në pension, në vitin 2013, gruaja kishte ndryshuar sjelljen dhe marrëdhënia mes tyre ishte përkeqësuar.
Kryetari i trupit gjykues i ka ballafaquar të akuzuarin me përmbajtjen e aktakuzës. Aty thuhej se gruaja kishte filluar, në mënyrën e përshkruar si impulsive, ndonjëherë agresive të akuzonte rregullisht burrin e saj duke e fyer dhe poshtëruar, dhe duke i shkaktuar kështu lëndim të thellë emocional.
Fëmijët e tyre e përshkruanin vazhdimisht babanë e tyre si një person të këndshëm dhe të qetë, transmeton albinfo.ch. Ai reagonte ndaj sulmeve të gruas së tij duke qëndruar i qetë, i heshtur, këmbëngulës dhe ndonjëherë duke ikur. Ai kurrë nuk ishte i zhurmshëm apo i dhunshëm ndaj saj.
Me sa duket, fëmijët kishin trajtuar bashkë situatën e përkeqësuar në shtëpinë e prindërve të tyre. Ata kishin shkëmbyer mendimin se trajtimi psikiatrik ndoshta do t’i bënte mirë nënës. Gjatë marrjes në pyetje në prokurori, ata deklaruan se nëna e tyre në fakt (më herët) ishte një person me zemër të mirë, por më pas kishte “kthyer pllakën” dhe kishte filluar të fantazojë. I akuzuari konfirmoi përmbajtjen e cituar nga aktakuza.
Kundërshton dëbimin: Të gjitha kontaktet sociale i ka në Zvicër
Më në fund, të premten e madhe të vitit 2019 (19 prill) ndodhi tragjedia familjare: Që në mëngjes, viktima mësohet se ka fyer dhe poshtëruar vazhdimisht bashkëshortin.
“Edhe pse deri në atë moment ai i kishte duruar gjithmonë me qetësi ofendimet e gruas së tij, këtë herë ai u soll ndryshe nga zakonisht, provokimet atë mëngjes shkaktuan një reagim të pakontrolluar”, thuhet në aktakuzë.
I dyshuari fillimisht e goditi gruan me grusht në fytyrë, më pas e kapi një lugë metalike këpucësh dhe e goditi gruan në vazhdimësi në kokë me të. Pas kësaj ai thirri policinë.
Ai ka shpjeguar se kishte rrahur gruan e tij dhe se ajo ishte pothuajse e vdekur. Pas mbërritjes së ambulancës dhe policisë, ai ka lejuar të arrestohet pa rezistencë. Më vonë ai ka dëshmuar se kurrë nuk e kishte menduar të vriste gruan e tij.
Mbrojtja theksoi se gjykata më e ulët kishte shqiptuar një dënim të tepruar. Ajo nuk kishte marrë parasysh rrethanat që çuan në krim. Klienti i tij duhet të dënohet me burg me kusht prej dy vjetësh dhe të lirohet menjëherë nga paraburgimi në të cilin ndodhet prej një viti e gjysmë. Dëbimi nga Zvicra duhet të shmanget, përcjell albinfo.
Të gjithë fëmijët dhe nipërit e tij, me të cilët ka kontakte të ngushta, jetojnë në Zvicër. Ai ka punuar këtu për 40 vjet dhe nuk kishte rënë kurrë në kundërshtim me ligjin. Ai është i integruar mirë në Zvicër. Nëse do t’i duhej të kthehej në atdheun e tij, ai do të humbiste të gjitha kontaktet shoqërore.
Ulje vetëm simbolike e dënimit -Vendimi për dëbim nga Zvicra, mbetet në fuqi
Prokurorja kërkoi rrëzimin e ankesës. Gjykata më e ulët e ka arsyetuar me kujdes vendimin e saj, shpjegoi ajo. Ajo argumentoi se akti ishte shumë brutal dhe se intensiteti i tij ishte i pakuptueshëm.
Gjykata Kantonale e St.Gallenit ka shpallur vendimin e saj me shkrim.
Ndonëse ka anuluar vendimin e gjykatës më të ulët, ajo vetëm sa ka ulur dënimin me burg nga gjashtë vjet e gjysmë në gjashtë vjet e tre muaj. Dëbimi nga shteti prej shtatë vitesh gjithashtu mbetet në fuqi. I akuzuari duhet të paguajë shpenzimet e të gjitha hetimeve dhe procedurave gjyqësore. Ato arrijnë në rreth 50.000 franga.