Sot në Gjykatën Themelore në Gjilan është shpallur aktgjykimi në rastin ku ish-komandanti i policisë në rajonin e Gjakovës, Kristë Gjokaj dhe pesë zyrtarët e tjerë policorë: Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limanaj, po akuzohen për keqtrajtimin e një të prangosuri brenda stacionit policor.
Sinjali mëson se gjykata në Gjilan e ka shpallur fajtor Kristë Gjokajn me 120 ditë burgim, që i është zëvendësuar me 2 mijë euro gjobë.
Ndërsa policët Gëzim Biblekaj dhe Agron Idrizi janë dënuar me 90 ditë burgim, që i është zëvendësuar me gjobë prej 1 mijë euro.
Kurse Milot Ukaj është dënuar me 150 ditë burgim, që i është zëvendësuar me gjobë prej 1500 euro.
Kurse zyrtari policor Bekim Preqi është liruar nga akuza, shkruan Sinjali.
Gjokaj dhe 5 policët janë shpallur fajtorë se kanë kryer veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Ndërsa, Shaban Limanaj, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 90 ditë burgim, që i është zëvendësuar me 700 euro, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas aktgjykimit, Kristë Gjokaj, duke qenë në pozitën e Komandantit në Stacionin Policor në Gjakovë, me datë 14.11.2018, rreth orës 02:55 minuta, në objektin e Stacionit Policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar tani të dëmtuarin M. R. nga Prishtina, në atë mënyrë që derisa i njëjti ishte i arrestuar dhe prangosur, për shkak të dyshimit se kishte kryer vepra penale (raporti policor: 2018 – EA – 1248 dhe 2018 – HRGJ – 60), e godet me grushte në dorë dhe fytyrë, me ç’rast e rrëzon në dysheme.
Biblekaj, Idrizi dhe Ukaj, sipas gjykatës, gjatë detyrës zyrtare, si zyrtarë policor, kanë keqtrajtuar tani të dëmtuarin M. R., në atë mënyrë që përderisa i njëjti ishte arrestuar dhe i prangosur për shkak të dyshimit se kishte kryer vepra penale, me qëllim që të nxjerrin informacione, të dëmtuarin e godasin me duar dhe këmbë në pjesë të ndryshme të trupit.
Në vendimin e gjykatës thuhet se i akuzuari Shaban Limanaj, duke qenë në pozitën e përgjegjësitë për Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor në Gjakovë, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, në atë mënyrë që rreth orës 04:24 minuta u ka mundësuar të akuzuarve Milot Ukaj, Gëzim Biblekaj dhe Agron Idrizi të futen në qelinë ku ndodhej i dëmtuari M. R., ku të njëjtit e keqtrajtojnë, duke e sulmuar fizikisht.
Për këtë rast kishte raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali, duke publikuar edhe videon e trajtimit çnjerëzor të qytetarit të prangosur në stacionin policor të Gjakovës.